PAVIJONI I PAVARËSISË

PAVIJONI I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

(1912-1939)

Pavijoni i Pavarësisë së Shqipërisë është në katin e tretë të Muzeut Historik Kombëtar. Koleksionet me objekte të ndryshme historike janë një dëshmi e rëndësishme e jetës dhe e veprës së figurave të historisë së popullit shqiptar. Më 28 nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës vendosi formimin e qeverisë së parë kombëtare dhe më 4 dhjetor 1912 u zgjodh Qeveria e Përkohshme me kryetar Ismail Qemalin. Qeveria e Përkohshme mori masa për reformimin e administratës gjyqësore, mbledhjen e taksave, fillimin e vitit shkollor 1913-1914 dhe nënshkroi disa marrëveshje koncensionare. Esat pashë Toptani doli hapur kundër Qeverisë së Vlorës dhe më 12 tetor 1913 shpalli në Durrës formimin e Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme. Lëvizja e Esat Toptanit i dha një goditje të rëndë ndërtimit të shtetit shqiptar. Objekti muzeor që tërheq vëmendjen e vizitorëve është aparati telegrafik mors, model “Czeija, Nissl u Co., Vjenë”, me regjistrues boje, që hyri në përdorim nga viti 1896. Ky aparat  u përdor nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës në vitet 1912-1914.

Më 17 dhjetor 1912 nisi punimet Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Më 22 mars 1913, Konferenca e Ambasadorëve caktoi kufijtë veriorë e verilindorë të shtetit shqiptar. Më 11 gusht 1913, Konferenca vendosi për kufirin jugor e juglindor të Shqipërisë. Me këto vendime, Konferenca i copëtoi rëndë trojet shqiptare. Më 29 korrik 1913, Shqipëria u njoh zyrtarisht si shtet i pavarur, asnjanës dhe nën garancinë e Fuqive të Mëdha, me në krye një princ të huaj. Një objekt me interes për vizitorët është xhamadani i Isa Boletinit.

Ardhja e princit Vilhelm Vidi në Durrës, më 7 mars 1914 u mirëprit nga shqiptarët pasi besohej se ai do ta ndryshonte fatin e vendit. Më 17 mars 1914 u formua qeveria e re shqiptare, nën kryesinë e Turhan pashë Përmetit. Princ Vidi u ndodh shpejt përballë lëvizjes “Vorio-epirote” në jug të vendit dhe kryengritjes që shpërtheu në Shqipërinë e Mesme. Ndërkohë, Fuqitë e Mëdha po përgatiteshin për t’u ndeshur ushtarakisht me njëra-tjetrën. Pasi nuk gjeti mbështetje te Fuqitë e Mëdha, më 3 shtator 1914, princ Vidi u detyrua të largohej nga Shqipëria.

Në këtë pavijon është ekspozuar kapelja dhe rripi i mesit i uniformës së kapitenit irlandez Duncan Heaton Armstrong (1886-1969), sekretar personal i princ Vidit. Objektet paraqesin disa nga simbolet e uniformave të para gjatë periudhës së ngritjes së shtetit shqiptar.

Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore pati pasoja të rënda për shtetin e pavarur shqiptar. Më 26 prill 1915 ndërmjet fuqive të Bllokut të Antantës dhe Italisë u nënshkrua një protokoll i fshehtë, i cili parashikonte aneksimin e disa krahinave të Shqipërisë nga Italia dhe shtetet fqinje. Vija e frontit midis ushtrive ndërluftuese në Shqipëri shtrihej afërsisht në drejtimin Vlorë-Berat-Pogradec. Më 10 dhjetor 1916, autoritetet ushtarake franceze dhe përfaqësuesit kombëtarë shqiptarë nënshkruan marrëveshjen për shpalljen e Krahinës Autonome të Korçës, e cila zgjati deri më 16 shkurt 1917.

Më 25 dhjetor 1918 u mblodh Kongresi i Durrësit. Ai vendosi formimin e qeverisë së përkohshme, të drejtuar nga Turhan pashë Përmeti. Delegacioni i qeverisë shqiptare dhe përfaqësues të kolonive shqiptare jashtë atdheut i paraqitën Konferencës së Paqes në Paris disa memorandume e peticione në mbrojtje të çështjes kombëtare.

Kongresi i Lushnjës i zhvilloi punimet nga 29 deri më 31 janar 1920. Delegatët e këtij Kongresi u shprehën për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Kongresi i Lushnjës zgjodhi qeverinë, e drejtuar nga Sulejman Delvina. Më 11 shkurt 1920, qeveria e Sulejman Delvinës, Këshilli i Lartë dhe Këshilli Kombëtar u vendosën në Tiranë. Qysh nga ajo kohë Tirana u bë kryeqyteti i Shqipërisë.

Në vitin 1920 u zhvillua Lufta e Vlorës, e cila e detyroi qeverinë italiane të tërhiqte trupat e saj nga Vlora dhe të respektonte sovranitetin e shtetit shqiptar. Gjatë gushtit të vitit 1920, kryengritësit shqiptarë çliruan disa vise të Shqipërisë lindore, por fitorja e tyre nuk zgjati shumë. Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Gjatë viteve 1920-1924, në vend u hodhën hapat e parë të demokracisë parlamentare. Por, njëkohësisht u forcuan prirjet e grupeve politike për pushtet. Këshilli Kombëtar miratoi zgjerimin e Statutit të Lushnjës. Në këto vite u gjallërua lëvizja atdhetare për pavarësinë e institucioneve fetare në vend.

Pas vrasjes së Avni Rustemit, filloi “Lëvizja e Qershorit” e vitit 1924. Më 16 qershor 1924 u formua qeveria e përkohshme, e kryesuar nga Fan Noli. Më 19 qershor, ajo shpalli programin e saj prej 20 pikash, në të cilin parashikohej “çrrënjosja e feudalizmit” dhe vendosja e demokracisë. Qeveria mori disa masa ekonomike, por nuk arriti ta “çrrënjosë feudalizmin”. I ndihmuar me forca të rekrutuara nga Ceno Kryeziu e të armatosura nga qeveria e Beogradit, forcat e Ahmet Zogut hynë në Tiranë më 24 dhjetor dhe Qeveria e Fan Nolit u rrëzua nga pushteti.

Më 21 janar 1925, Asambleja Kushtetuese shpalli Republikën Shqiptare dhe më 31 janar, zgjodhi Ahmet Zogun president të Republikës. Me ndihmën e instruktorëve anglezë u riorganizua xhandarmëria, ndërsa në vitin 1926, me ndihmën e instruktorëve italianë filloi organizimi i ushtrisë. Centralizimi i administratës shtetërore zhduku përçarjet krahinore dhe dobësoi sundimin e bejlerëve e të parisë lokale. Në vitin 1925, parlamenti shqiptar miratoi marrëveshjet koncensionare për kërkimin e vendburimeve të naftës; u themelua Banka Kombëtare e Shqipërisë dhe u nënshkrua marrëveshja me qeverinë italiane për një hua nga “Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë”.

Në mbledhjen e saj të 1 shtatorit 1928, Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë mbretëri dhe Ahmet Zogun mbret të shqiptarëve, me emrin Zogu I. Gjatë Mbretërisë Shqiptare u konsoliduan themelet e shtetit modern shqiptar. Në këtë periudhë u miratua një legjislacion bashkëkohor, i ngjashëm me atë të vendeve perëndimore, si kodi penal, kodi civil dhe kodi tregtar. Në vitet 1928-1937 u ndërtuan mjaft rrugë dhe ura të reja. U përmirësua shërbimi postar, ajror e detar, i brendshëm dhe i jashtëm. Këto shërbime ndikuan më shumë në unifikimin dhe europianizimin e kombit shqiptar.

Jeta e pavarur kombëtare ndikoi edhe në modernizimin e jetesës, sidomos në qytete. Gjatë kësaj periudhe u ngritën lulishte publike, centrale elektrike dhe kinema. Në vitin 1938 në Shqipëri u ngrit stacioni radiofonik kombëtar. Me vendim të veçantë u ndalua perçja. Zhvillimi i arsimit kombëtar shënoi hapa të rëndësishëm. Në këtë periudhë njohën arritje edhe letërsia artistike, publicistike, arti skenik dhe ai pamor.

 

 

error: Content is protected !!