Misionet arkeologjike italo-shqiptare, 100 vjet histori zbulimesh

“Qytete të Lashta dhe peizazhe të Shqipërisë – Njëqind vjet misione arkeologjike italo-shqiptare”. Nën këtë slogan dhe me imazhin e Hyjit Apolon, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u çel një ekspozitë e organizuar nga Instituti Italian i Kulturës dhe Ambasada Italiane në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar dhe Institutin e Arkeologjisë.

Në ekspozitë u paraqiten rezultatet kryesore të bashkëpunimit, në fushën e kërkimeve arkeologjike, mes Italisë dhe Shqipërisë, me një histori tashmë gati shekullore.

Konferenca që i parapriu inaugurimit të ekspozitës u hap nga Adriana Frissena presidente e Institutit Italian të Kulturës. Pasi vlerësoi bashkëpunimin dypalësh në këtë projekt, dhe vetë punën e madhe kërkimore në fushën e arkeologjisë pas Luftës së Parë Botërore dhe pas viteve ‘90, Frissena i dha fjalën ministres së Kulturës, znj.Mirela Kumbaro. “Një vit më parë ne patëm një bashkëpunim në fushën e arkitekturës, – tha në fjalën e saj ministrja Kumbaro, – dhe nuk hezituam që këtë bashkëpunim ta shtrijmë dhe në fushën e arkeologjisë. Dhe ky në fakt është një 100 vjetor mes arkeologësh”. Ndërkohë Kumbaro bëri të njohur dhe një tjetër shqetësim, ku megjithëse mes Shqipërisë dhe Italisë ka një marrëdhënie me intesitet të lartë të shkëmbimeve kulturore, çuditërisht nuk ekziston zyrtarisht asnjë marrëveshje e tillë që ta siglojë atë. “Kemi marrë përsipër që dy ministrat përkatës të hartojmë marrëveshjen kulturore mes vendeve tona, ta firmosim atë, në mënyrë që ky bashkëpunim të jetë dhe zyrtarisht”, – premtoi znj.Kumbaro.

Në konferencë foli dhe ambasadori italian në Tiranë z.Alberto Cutillo, i cili përshëndeti të gjithë aktorët që bënë të mundur këtë eveniment. Ndërsa, drejtori i Institutit të Arkeologjisë z.Luan Përzhita mes të tjerash përmendi dhe faktin se arkeologjia shqiptare nis me Hasan Cekën që dikur kishte punuar me Luigji Ugolinin. Zv/Kryeministri z.Niko Peleshi në fjalën e tij u shpreh se, ekspozita në fjalë është përkujtimi më i mirë që i bëhet misioneve të përbashkëta italo-shqiptare në fushën e arkeologjisë.

“Në një përvjetor të tillë ky aktivitet merr vlerë të veçantë, pasi gërmimet e kësaj periudhe kanë thelluar ndjeshem jo vetëm zbulimin e historisë por dhe njohjen e qyteteve antike të një pjese të madhe të territorit të Shqipërisë”, tha në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Melsi Labi. Sipas tij: Ugolini e Markoni ishin ndër të parët që konkretizuan veprimtarinë kërkimore, por duhet thënë se prania e misioneve italiane në tokën shqiptare gjatë dy dekadave të fundit ka qenë mjaft evidente, duke përbërë një hap thelbësor në shkëmbimin e përvojës ndërmjet arkeologëve të dy vendeve. Z.Labi tha gjithashtu se në këtë ekspozitë, Muzeu Historik Kombëtar merr pjesë si një aktor i rëndësishëm që ekspozon vlera arkeologjike, pjesë e zbulimeve të përbashkëta.

Në konferencë morën pjesë përgjegjësit e misioneve arkeologjike italiane: Roberta Belli nga Universiteti Politeknik i Barit, Sandro De Maria nga Universiteti i Bolognës, Marco Peresani nga Universiteti i Ferrarës, Roberto Perna nga Universiteti i Maçeratës, Sara Santoro nga Universiteti i Chieti, Giuliano Volpe nga Universiteti i Foxhias. Ndërsa Giuseppe Lepore është kuratori i ekspozitës dhe autori i katalogut dygjuhësh.

Pas konferencës të pranishmit vizituan ekspozitën.

Ekspozita është e përbërë nga panele ekspozuese e ndarë në seksione. Disa vitrina kanë ekspozuar objekte të gjetura gjatë misioneve arkeologjike. Në mesin e materialeve ka edhe skulptura të viteve ’20 të shekullit XX të gjetura në Finiq dhe Butrint.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar deri më 20 Maj 2016.
IMG_0344IMG_0321 IMG_0396IMG_0378-002 IMG_0314

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!