Ekspozita ikonografike: “Thesare të shpëtuara”

Ekspozita ikonografike: “Thesare të shpëtuara” zhvillohet në kuadër të 29 shtatorit, “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore” dhe ka si qëllim të ndërgjegjësojë opinionin publik mbi rëndësinë e ruajtjes së thesareve të trashëgimisë kulturore. Ekspozita ikonografike vjen si produkt i Raportit të grupit të punës ngritur me Urdhër Ministri me nr. 457 prot. dt.28.12.2015, Urdhër Ministri me nr. 56 prot dt. 04.03.2016 mbi vlerësimin, kategorizimin dhe rakordimin e dokumentacionit që disponohet të objekteve të trashëgimisë kulturore, të sekuestruara në cilësinë e provës materiale nga koleksionisti Gjergji Thimio, kaluar në pronësi shtetërore me vendim nr.1502 datë 16.06.2015 të Gjykatës Penale të Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi me vendimin nr.1459 datë 30.09.2015 të Gjykatës së Apelit Tiranë, Vendim nr. 1613 dt. 30.06.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me qëllim shpërndarjen e tyre në institucionet muzeore kombëtare.
Diçiturat e ekspozitës janë realizuar, duke u mbështetur në katalogun e hartuar nga komisioni i ekspertëve të trashëgimisë kulturore, të cilët pas një pune njëvjeçare mundën të kryejnë me profesionalizëm regjstrimin, katalogimin dhe kartelizimin e 476 objekteve ikonografike dhe dekorative të sekuestruara tre vjet më parë. Grupi i punës ka përzgjedhur 62 objekte, nga të cilat janë 27 ikona, 14 pjesë ikonostasi, si edhe 4 kryqe ikonostasi. Këto objekte janë vlerësuar nga grupi i punës në bazë të ligjit Nr. 9048, datë 07.04.2003, Neni 3, pika 29 si “Trashëgimi me vlera të veçanta” dhe në bazë të ligjit Nr. 9048, datë 07.04.2003, Neni 3, pika 28 si “Trashëgimi me vlera muzeale”. Në ekspozitën ikonografike dhe ornamentike: “Thesare të shpëtuara” janë ekspozuar ikonat dhe pjesët e ikonostaseve, të cilat janë shkulur barbarisht nga kishat e jugut të Shqipërisë. Ekspozita zhvillohet me kujdestarinë e Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar dhe me Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore dhe do të qëndrojë e hapur nga data 29 Shtator deri më 08 Tetor 2016, në sallën e ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!