“Shpëtohet thesari”, në Muzeun Kombëtar ekspozohen 62 objekte ikonografike të panjohura

Në Muzeun Historik Kombëtar u çel ekspozita ikonografike dhe ornamentike: “Thesare të shpëtuara”. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të 29 shtatorit, “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”. Ekspozita u zhvillua me kujdestarinë e Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar dhe me Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore. Qëllimi i saj është të ndërgjegjësojë opinionin publik mbi rëndësinë e ruajtjes së thesareve të trashëgimisë kulturore.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite mori pjesë dhe ministrja e Kulturës znj.Mirela Kumbaro e cila vlerësoi punën e bërë nga specialistët. Në mënyrë të veçantë ajo falenderoi drejtorin e Muzeut Historik z.Melsi Labi, drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore znj.Silva Breshani, por pa harruar dhe specialisten Suzana Varvarica.
Ekspozita ikonografike vjen si produkt i Raportit të grupit të punës ngritur me Urdhër Ministri me nr. 457 prot. dt.28.12.2015, Urdhër Ministri me nr. 56 prot dt. 04.03.2016 mbi vlerësimin, kategorizimin dhe rakordimin e dokumentacionit që disponohet të objekteve të trashëgimisë kulturore, të sekuestruara në cilësinë e provës materiale nga koleksionisti Gjergji Thimio, kaluar në pronësi shtetërore me vendim nr.1502 datë 16.06.2015 të Gjykatës Penale të Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi me vendimin nr.1459 datë 30.09.2015 të Gjykatës së Apelit Tiranë, Vendim nr. 1613 dt. 30.06.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me qëllim shpërndarjen e tyre në institucionet muzeore kombëtare.
Në fjalën e saj ministrja Kumbaro sqaroi gjithashtu: “Koleksion i veprave është një vlerë për kombin tonë dhe ne po bëjmë një trajtim të veçantë për 476 ikonat e sekuestruara që janë pasuri kulturore. Si të tilla është çështje menaxhimi dhe nga ana jonë Dita Kombëtare e Trashëgimisë po realizohet me shumë përkujdesje. Në këtë kontekst, ne do të bëjmë restaurim të veprave kulturore në gjithë vendin. Është një arritje tjetër e skuadrës së kulturës që na bën krenar gjithë kombin dhe popullin që të dijë të ruajë këto vlera. Është një nga koleksionet më të mëdha në botë, me kushte moderne. Një falënderim të veçantë, dua të bëj për organet e drejtësisë e policisë që kanë qenë bashkëpunëtorët tanë më të ngushtë që bënë të mundur shpëtimin e këtij thesari, ndaj dhe e quajtëm thesari i shpëtuar”
Në ekspozitën ikonografike dhe ornamentike: “Thesare të shpëtuara” janë ekspozuar ikonat dhe pjesët e ikonostaseve, të cilat janë shkulur barbarisht nga kishat e jugut të Shqipërisë. Pjesët e ikonostasit që janë ekspozuar janë grabitur nga kisha e “Lindjes së Shën Mërisë” në Tranosisht, të Lunxhërisë, kisha e “Shën Thanasit” në Voskopojë, kisha e “Shën Kollit” në Saraqinisht të Lunxhërisë, kisha “Fjetja e Hyjlindëses” në Goranxi etj.
Më pas, për gazetarët, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Melsi Labi u shpreh: “Kishat e shpallura monument kulture, shpesh kanë rënë pre e vjedhjeve dhe e grabitjeve nga njerëz të papërgjergjshëm. Vjedhësit çmontojnë ose shkulin me dhunë dyert e bukura, pjesë nga amvoni, pjesë nga ikonostasi, pjesë nga fronet dhespotike, ikonat e montuara nëpër ikonostasët e kishave monument kulture dhe ua shesin matrapazëve në tregun e zi ose koleksionistëve të veprave të artit. Gjatë viteve të fundit janë grabitur dhe dëmtuar shumë kisha të shpallura monument kulture. Këto thesare të trashëgimisë sonë kulturore na i kanë lënë trashëgim të parët tanë, prandaj na del si detyrë, që t’i ruajmë ato. Ky është mesazhi që përcjell ekspozita ikonografike dhe ornamentike që po çelim sot: ndërgjegjësimi i brezit të ri mbi rëndësinë e ruajtjes së thesareve të trashëgimisë kulturore”.
Diçiturat e ekspozitës janë realizuar, duke u mbështetur në katalogun e hartuar nga komisioni i ekspertëve të trashëgimisë kulturore, të cilët pas një pune njëvjeçare mundën të kryejnë me profesionalizëm regjstrimin, katalogimin dhe kartelizimin e 476 objekteve ikonografike dhe dekorative të sekuestruara tre vjet më parë. Grupi i punës ka përzgjedhur 62 objekte, nga të cilat janë 27 ikona, 14 pjesë ikonostasi, si edhe 4 kryqe ikonostasi.

14484712_1253708621358575_4103417258833832823_n 14492439_1253708618025242_2142440592997435977_n 14433227_1253708558025248_807688928626599151_n

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!