Muzeu Historik Kombëtar feston 35-vjetorin e përurimit të godinës, çelet ekspozita “Retro”

Ditë e veçantë për Muzeun Historik Kombëtar. 35 vite më parë, në 28 Nëntor 1981 u përurua godina e këtij Muzeu. Për të përkujtuar një datë të tillë jubilare u zhvilluan një sërë veprimtarish. Fillimisht u çel ekspozita “Retro” me skica dhe punimet e tjera të cilat përbënin dhe fazën fillestare të projektit i cili u konkretizua me ngritjen e një objekti madhështor. Skica të njohura, por dhe të panjohura më parë dolën nga fondi i Muzeut Kombëtar. Në to pasqyrohet fillesa e një pune voluminoze. Por ekspozita kishte në përbërje të saj dhe monitorë ku shfaqeshin sekuenca filmike nga ndërtimi i godinës gjigande në qendër të kryeqytetit, si dhe aspekte nga puna për veshjen arkitekturale të nderteses dhe kompletimin e pavijoneve me objekte.
Të pranishëm në çeljen e ekspozitës kishte shumë të ftuar. Drejtori i këtij institucioni z. Melsi Labi, në fjalën e tij të hapjes pasi bëri një përmbledhje të të gjithë punës së Muzeut në vite tha: “Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin e vlerësimin e historisë së Shqipërisë te publiku vendës, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai synon, gjithashtu të inkurajojë dialogun midis qytetarëve për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai ruan dhe studion provat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin. Ai organizon dhe mundëson, gjithashtu aktivitetet, që përkrahin vizionin dhe misionin e tij”.
Ndërsa një prej drejtorëve të këtij institucioni, z. Myslym Islami tha: “Në muze është historia dhe kultura e popullit shqiptar. Ajo është pasqyrimi ynë. Për këtë arësye dhe pse një shtet i varfër ndërtimit kësaj godine gjigande dhe me shumë kosto iu dha një rëndësi e madhe. Ndaj duhet ta ruajmë si sytë e ballit”.

***
Muzeu Historik Kombëtar u realizua sipas një studimi urbanistik të qendrës së kryeqytetit, të hartuar në vitin 1976 nga Instituti i Studimeve dhe i Projektimeve të Urbanistikës dhe të Arkitekturës.
Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ndërtesa e Muzeut është mbështetur në modelin e arkitekturës monumentale. Zgjidhja arkitektonike e godinës, mjediseve dhe e atriumit shprehin funksionin e muzeut si një qendër e rëndësishme muzeologjike dhe ideologjike. Me mermerin e bardhë në ballinën e jashtme, Muzeu Historik Kombëtar formon një ansambël të harmonishëm arkitekturor me hotelin “Tirana” dhe me Pallatin e Madh të Kulturës. Godina e muzeut vjen solide në tërësi, me arkitekturë të thjeshtë monumentale. Grupi i punës, që punoi për projektin e Muzeut Historik Kombëtar përbëhej nga arkitektët Sokrat Mosko, Enver Faja, Nina Shehu dhe Petraq Kolevica. Salla e lashtësisë u projektua nga ark. Nina Shehu, salla e mesjetës, nga ark. Enver Faja dhe ajo e socializmit nga ark. Petraq Kolevica. Secila nga sallat e ekspozimit ka arkitekturë të veçantë, duke shmangur monotoninë dhe përsëritjen. Çdo sallë përcjell mesazhin dhe atmosferën e periudhës së cilës i përket.
Ndërtesa e Muzeut Historik Kombëtar u ndërtua për gjysmën e kohës, që u desh për ndërtimin e hotelit pesëmbëdhjetëkatësh “Tirana”, ndonëse godina e muzeut kushtonte disa milionë lekë më shumë se hoteli. Për ndërtimin e muzeut u gërmuan dhe u lëvizën 23000 m3 dhera, u betonuan 15 mijë m3 pjesë të ndryshme me beton arme, u montuan 950 tonë hekurbeton dhe u gdhendën 22 mijë metër katrorë veshje e shtresa të ndryshme. Një pjesë e mermerit të mureve të jashtëm të muzeut është gdhendur, për të rritur vlerën dekorative të godinës në lidhje me objektet e tjerë, Pallatin e Madh të Kulturës dhe hotelin pesëmbëdhjetëkatësh.
Ndërtesa e Muzeut Historik Kombëtar zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2; ka sipërfaqe ekspozimi prej 9.000 m2 dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81.000 m3. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Në ballinën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar është një mozaik me përmasa 37 x 11 m. Mozaiku përbëhet nga 13 figurina afërsisht 10 metra të lartë dhe zë një sipërfaqe prej 400 m2. Mozaiku titullohet “Shqipëria”. Ai është realizuar nga Vilson Kilica, Met Deliu, Agim Nebiu, Josif Drobroniku, Aleksandër Filipi etj.
Aktualisht, Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, Mesjeta, Ikonografia, Rilindja Kombëtare, Pavarësia, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe Persekutimi komunist. Etnokultura shqiptare është në proces ndërtimi. Stafi i Muzeut Historik Kombëtar përbëhet prej 50 specialistësh të fushave të ndryshme.

14572163_1283452311717539_2729385657539030188_n 14590433_1283452198384217_5987328290970329046_n 14570680_1283452051717565_354643083045305862_o

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!