“Plein Air” çel në Muzeun Kombëtar një ekspo me 60 tablo nga 12 piktorë

Vendet më të bukura të Shqipërisë në telajo; kjo është dhe motoja që mban të bashkuar 12 piktorë nën të njëjtën logo. Dhe kjo është hera e dytë që “Plein Air”, një ekspoze me 60 punime, çelet në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Anëtarët e kësaj shoqërie, edhe pse secili me individualitetin e tij krijues që ndjehet për nga këndvështrimi, mjetet shprehëse si dhe nga dashuria për natyrën, janë mbledhur së bashku për të sjellë si një të vetme këtë ekspozitë të veçantë. “Plein Air 2” prezantohet me tablo të realizuara në një marrdhënie të drejtpërdrejtë me natyrën mahnitëse shqiptare, ku janë përjetësuar peizazhe nga Veriu në Jug dhe nga Lindja në Perëndim të vendit. Të gjithë piktorët pjesëmarrës, nuk e kanë tradhëtuar penelin dhe janë sa modernë po aq edhe tradicional në konceptin e punëve të tyre.
Gjatë fjalës përshëndetëse të tij, drejtori i Muzeut Kombëtar, z.Melsi Labi tha: “Një vit më parë ekspozita në fjalë u përcoll me interes të madh nga artdashësit. Por dhe këtë vit, krijimtaria e 12 piktorëve nga më të mirët në vend, tablotë e të cilëve vijnë me një larmi të madhe, do ta çojnë “Plein Air”-in drejt suksesit të sigurt. Shoqata “Artistët e Plenerit” do të jetë e mirëpritur në vazhdimësi që punimet e tyre t’i ekspozojë në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Është vetë ky institucion, i cili ka qenë dhe mbetet gjithmonë i hapur për artistët shqiptarë, piktorë dhe jo vetëm. Jam i bindur se ekspozita të tilla nuk do të na mungojnë pasi kjo gjini e bukur e artit ka për ta pasur jetëgjatësinë e saj për sa kohë ka frymë njerëzimi dhe për sa kohë e bukura ekziston si realitet”.
Për publikun ekspozohen veprat e autorëve Agron Dine, Agron Polovina, Arsen Kurti, Buron Kaceli, Kujtim Buza, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Qamil Prizreni, Sadik Kasa, Sefedin Stafa, Vangjo Vasali dhe Xheneta Kadillari. Këtë vit secili prej pjesëmarrësve do të prezantojë pesë vepra, ndërsa katalogu i ekspozitës për botim është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës.

15219552_1320634297999340_7229053908470601538_n 15319283_1320634404665996_1682131766503554674_n 15349548_1320634344666002_5006312759680936318_n 15338608_1320634341332669_8994226621719112335_n

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!