Mbahet konferenca shkencore ndërkombëtare: “Roli i muzeve në shoqërinë moderne”

Mbahet konferenca shkencore ndërkombëtare: “Roli i muzeve në shoqërinë moderne”. Melsi Labi: Është koha për të promovuar Qendrën Kombëtare të Muzeologjisë

Në kuadër të 35-vjetorit të inaugurimit të Muzeut Historik Kombëtar u organizua një konferencë shkencore ndërkombëtare me temë: “Roli i muzeve në shoqërinë moderne”. Konferenca mblodhi së bashku specialistë të fushës së muzeologjisë nga i gjithë vendi. Gjatë kësaj konference u diskutua mbi rolin e Muzeut Historik Kombëtar dhe të muzeve të vendit në komunitet, mbi nevojat dhe sfidat më të cilat përballen muzetë sot dhe mbi formimin e një rrjeti kombëtar të qëndrueshëm të muzeve dhe muzeologjisë. Punimet e Konferencës i përshëndeti zv/Ministri i Kulturës z.Zef Çuni si dhe n/kryetari i Bashkisë së Tiranës z.Abaz Hado.
Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, Ph.D.C. Melsi Labi, e hapi këtë konferencë shkencore duke mbajtur kumtesën: “Roli i muzeve në një shoqëri moderne”. Në fjalën e tij Melsi Labi tha se përgatitjet në kuadër të 35-vjetorit të përurimit të godinës së Muzeut Historik Kombëtar kishin filluar që herët. “Konkretisht ka ndryshuar pamja e Pavijonit të Lashtësisë, duke u vendosur diçitura dhe ndriçim bashkëkohor. Gjithashtu sallat e pavijonit janë lyer sipas standardeve të muzeve në botë. Është pajisur me diçitura të reja pavijoni i ikonave. Diçiturat janë bashkëkohore dhe të një cilësie të lartë. Gjithashtu pas një pune studimore është shtuar një ikonë në ikonostasin e Shën Gjon Vladimirit, që gjendet në pavijon. Po punohet intensivisht për përgatitjen e këndit të artistes Tefta Tashko Koço etj. Në kuadër të 35-vjetorit të përurimit të godinës së Muzeut Historik Kombëtar është botuar Udhërrëfyesi i Muzeut Historik Kombëtar në dy gjuhë shqip dhe anglisht”, u tha në kumtesën e Melsi Labit.
Më pas Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar ngriti dhe disa aspekte problemore ku duke u nisur nga shqetësimet dhe problemet e kohëve të fundit, ai tha se është krijuar bindja se sistemi muzeor shqiptar, ka nevojë për një ristrukturim tërësor, prandaj mendoj se ka ardhur çasti i përshtatshëm për ndryshime rrënjësore në këtë drejtim. “E kërkon koha për të promovuar Qendrën Kombëtare të Muzeologjisë, e cila do të shërbejë si rregullator i gjithë sistemit të muzeologjisë shqiptare. Kjo qendër mbarëkombëtare, duhet të ketë status juridik të ngjashëm me atë të institucioneve shkencore. Një synim parësor i Qendrës Kombëtare të Muzeologjisë do të jetë botimi i revistës “Studime Muzeologjike”, e cila pas një ndërprerjeje prej dhjetë vjetësh ka rilindur me botimin e dy numrave 4 dhe 5 gjatë viteve 2014 e 2015 dhe këto ditë do të qarkullojë numri 6 i revistës, i cili do të përmbajë kumtesat e konferencës shkencore ndërkombëtare që po zhvillojmë sot. Qendra Kombëtare e Muzeologjisë do të bashkëpunojë me muzetë e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, me arbëreshët e Italisë, me arvanitasit e Greqisë, si dhe me muzetë e shteteve të tjera, për të promovuar kulturën mbarëkombëtare të trevave shqiptare. Organizimi i konferencave muzeologjike, do të ketë impakte pozitive në promovimin e Qendrës Kombëtare të Muzeologjisë, në rajon dhe më gjerë. Këto konferenca, do të shërbejnë në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm, debatues dhe progresiv të muzeologjisë shqiptare. Deri më sot, në fushën e botimeve muzeologjike ka pasur mangësi të mëdha, si nga shkaku i mundësive financiare, por edhe nga mos këmbëngulja e muzeologëve. Kjo pengesë serioze do të kapërcehet, duke kryer proceset e përgatitjes për botim me burimet njerëzore të muzeut. Veprat e artit iliro-shqiptare, që gjenden të ekspozuara nëpër muzetë e ndryshëm të botës, duhet të riprodhohen dhe të ekspozohen nëpër muzetë tanë. Detyrë parësore e Qendrës Kombëtare të Muzeologjisë do të jetë inventarizimi dhe dixhitalizimi i objekteve muzealë dhe bashkëpunimi me Interpolin, për të parandaluar trafikimin e tyre jashtë vendit. Gjithashtu ky bashkëpunim do të jetë, në gjetjen dhe kthimin e objekteve të trafikuara”, tha në fjalën e tij drejtori Melsi Labi. Po sipas tij domosdoshmëria e krijimit të Qendrës Kombëtare të Muzeologjisë i jep një zgjidhje juridike dhe praktike, duke u konsideruar edhe si një çështje e mirëfilltë shkencore. Labi tha se synim parësor i Qendrës Kombëtare të Muzeologjisë, do të jetë ristrukturimi tërësor i sistemit muzeor shqiptar. Sistemi muzeor është i lidhur me turizmin, prandaj duhet t’i përgjigjet kërkesave të kohës, në kushtet e globalizmit dhe të një shoqërie të hapur.
Më pas konferenca shkencore vazhdoi me kumtesa të tjera ku Dr. Arsim Sinani, President i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike, pedagog në Universitetin e Prishtinës, foli për temën: “Gjendja e kulturës shqiptare në Maqedoni-humbja e vlerave të trashëgimisë kulturore, sfidat për ruajtjen e tyre”. Arsim Sinani ngriti një sërë shqetësimesh duke thënë se projekti montruoz “Shkupi 2014” ka asgjesuar kulturën ilire, se faktet e dokumentacioni që kanë të bëjnë me shqiptarët janë futur nëpër depo, dhe se godina e Kongresit të Manastirit për alfabetin shqip është në situatë kritike. Në këtë punim, Dr. Sinani ishte bashkëautor me z. Mentor Hasani nga Departamenti i Historisë në Universitetin e Prishtinës.
Ndërsa kumtesën me titull: “Diskutim rreth disa ideve për rikonceptimin e Pavijonit të Prehistorisë në Muzeun Historik Kombëtar” e mbajti Ph.D. Esmeralda Agolli. Prof. Ass. Dr. Frederik Stamati ishte i pranishëm me kumtesën: “Rreth punës për restaurimin dhe konservimin e objekteve që do të ekspozoheshin në vitin 1981 në Muzeun Historik Kombëtar”. Ndërsa Ph. D. Etleva Bushati në kumtesën e saj foli rreth temës “Mjedisi konservues në muze: rast i studiuar Muzeu Historik Kombëtar”. Arkitekti restaurator Reshat Gega kishte përgatitur kumtesën “Monumenti dhe muzealizimi”. Dr.Sabina Veseli foli për temën “Sfida e menaxhimit, dokumentimit dhe studimit të koleksioneve arkeologjike”. Dhe në përfundim të kumtesave foli Prof. Dr. Luan Përzhita rreth temës “Trashëgimia arkeologjike dhe muzeale në Shqipëri”.
Në fund të takimit drejtori Melsi Labi shpërndau disa certifikata mirënjohje për personat që kanë dhënë kontributin e tyre gjatë viteve të punës në Muzeun Historik Kombëtar. Gjithashtu për të pranishmit u dhuruan kopjet e para të Udhërrëfyesit të Muzeut Historik Kombëtar.

15493708_1339117672817669_3192907307668439049_o 15419751_1339117479484355_2024332867590814977_o 15590363_1339117229484380_9113265389516988859_n 15585206_1339119366150833_5077583746137283210_o 15578271_1339119089484194_8178050052817447139_o 15421035_1339118672817569_4242440078816220359_n 15578308_1339118676150902_2414270061487368449_o 15392819_1339118622817574_2880489453855377520_o 15591015_1339118626150907_4515131196322757631_o 15540675_1339118352817601_2056386904616689130_o 15419808_1339118066150963_7116158289129871851_o 15591040_1339117919484311_4085383182738452996_o 15578345_1339117826150987_7964641622185766957_o

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!