Nxënësit e shkollës “Musine Kokalari” përkujtojnë ditëlindjen e disidentes antikomuniste

Ajo është cilësuar si disidentja e parë femër ndaj regjimit komunist. Dhe jo vetëm për këtë arsye Musine Kokalari, vazhdon të përkujtohet dhe sot. Në kuadër të 100-vjetorit të lindjes, nxënës të shkollës 9-vjeçare që mban emrin e saj, zhvilluan një vizitë në Muzeun Historik Kombëtar. Nxënësit, të cilët ishin të shoqëruar edhe nga dy mësues, u përqëndruan më së shumti në Pavijonin e Terrorit Komunist ku u njohën më nga afër me historinë e Musine Kokalarit. Një pjesë të guidës e udhëhoqi nëndrejtori i Muzeut, z. Dorian Koçi, i cili sqaroi për nxënësit kontributin e saj politik, letrar dhe shoqëror. Sipas Koçit, Musine Kokalari ka për të mbetur intelektualja me kurajoze dhe ikonë e opozites shqiptare antikomuniste. Nxënësit gjithashtu u ndalën gjatë në stendën “Gra të ekzekutuara dhe të burgosura” ku ndodhet dhe fotografia e Musine Kokalarit, e ku thuhet se në periudhën mes viteve 1944-1991 në Shqipëri janë ekzekutuar 450 gra.
***
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adanë, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

16649523_1404398886289547_8135047686085821408_n 16508993_1404398909622878_3447477359142136315_n

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!