Dita Ndërkombëtare e Monumenteve, nxënësit e “Sami Frashëri” përkujdesen për “Çukën e Ajtoit”, që gjendet në oborrin e Muzeut Historik Kombëtar

Nxënësit e shkollës së mesme “Sami Frashëri”, u kujdesën për të mirëmbajtur një monument të trashëgimisë kulturore siç është ‘Çuka e Ajtoit”, pjesë përbërëse e Muzeut Historik Kombëtar.
Në fakt, 18 Prilli është shpallur “Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Dita Botërore e Trashëgimisë Kulturore”. Në këtë kuadër në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua një aktivitet i zgjeruar. Përgjegjësja e Sektorit të Programeve Edukative, znj.Etleva Demollari, u tha nxënësve të “Sami Frashërit” se: “Misioni i kësaj dite është edukimi i brezit të ri me problematikën e monumenteve, si dhe tërheqjen e vëmendjes për kujdesin që duhet treguar ndaj trashëgimisë kulturore”.
Drejtori i Muzeut, z.Dorian Koçi, i cili përshëndeti me këtë rast tha se tanimë përkujdesja për trashëgiminë kulturore është kthyer në një prioritet. “Trashëgimia kulturore na lidh me të shkuarën dhe na krijon një ide më të qartë mbi qytetërimet. Kjo trashëgimi na jep një krenari të ligjshme, pasi pikërisht në truallin ku jetojnë shqiptarët janë përplasur shumë qytetërime dhe trashëgimia kulturore është e madhe. Vetë Muzeu Historik Kombëtar mbart shumë nga kjo trashëgimi. Prandaj dhe bashkëpunimi për ta mirëmbajtur është e domosdoshme”, tha mes të tjerash drejtori Koçi.
Këtë vit aktivitetin e udhëhoqi arkeologu Spiro Nika, i cili iu shpjegoi nxënësve mënyrën sesi u montua “Çuka e Ajtoit” dhe mozaiku “Qilimi i Apolonisë”, në ambientet e atriumit të Muzeut Historik Kombëtar si dhe i këshilloi ata se çfarë u duhet të bënin për ta mirëmbajtur këtë objekt të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.
Në nder të “Ditës Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Ditës Botërore e Trashëgimisë Kulturore” në Shqipëri organizohet edhe hyrja falas nëpër ambientet ku ekspozohen monumente të kulturës si dhe zhvillohen aktivitete të ndyshme lidhur me vlerat, rëndësinë si edhe rreziqet që i kanosen këtyre monumenteve.

17904207_1486789258050509_3672535796975722776_n 17904098_1486789341383834_4480823522517811610_n 18010034_1486789461383822_2726899585124520950_n

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!