“3 Harqet”, ekspozita që bashkon artin shqiptar me atë francez

Ekspozita e skulptorit Claudy Pellaton dhe piktorit Enkelejd Zonja, e titulluar “3 Harqet” u çel në Muzeun Historik Kombëtar, falë bashkëpunimit të këtij të fundit me Ambasadën e Francës në Tiranë, Bourgogne-Franche-Comté dhe shoqatën Art Mobile. Kuratori i ekspozitës Krenar Zejno gjatë prezantimit të këtij bashkëpunimi artistik rrëfeu dhe motivet që trajtohen në veprat artistike. “Bashkëpunimi dhe ura si simbol, por si mund t’ia bëjmë ne se edhe ato që janë klishe ti marrim dhe ti çojmë aty ku e kanë kuptimin origjinë ndonjëherë harxhohen prej shpërdorimit të tyre dhe mendoj që ky nuk është rasti i shpërdorimit”, tha Zejno.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Dorian Koçi, i cili përshëndeti me këtë rast tha se kjo ekspozitë synonte një komunikim mes stileve të ndryshme. “Simbolikat ndryshojnë por gjuha e artit është e përbashkët. Autorit francez i kanë bërë përshtypje urat e vjetra të ndërtuara në Shqipëri, por vetë urat janë simboli i bashkimit. Nga ana tjetër autori shqiptar nëpërmjet penelit të tij na jep perceptimin e botës së shkuar në Shqipëri. Prandaj them se nuk ka gjë më të mirë se bashkëpunimi i këtyre dy artistëve për të na sjellë këtë ekspozitë”, tha mes të tjerash drejtori Dorian Koçi.
Piktori shqiptar Enkelejd Zonja, është prezantuar vetëm me katër vepra në këtë ekspozitë, por dimensionet e veprave të tij krijojnë një marrëdhënie të shumëfishtë me veprat e autorit francez. “Ka qenë një iniciativë e Claudy Pellaton skulptorit francez për të bërë një ekspozitë me një artist shqiptar. Unë si artist do marr pjesë në një qytet në Francë me disa punë të tjera ndryshe nga këto që janë këtu, duke përfaqësuar Shqipërinë. Është një formë komunikimi mes dy vendeve nëpërmjet gjuhës së artit”, tha Enkelejd Zonja.
Piktori francez Claudy Pellaton që ka trajtuar dhjetëra motive shqiptare në pikturat dhe skulpturat e tij, shprehet se urat kanë qenë inspirimi i tij artistik. “Kam parë shumë ura në botë dhe në Ballkan, dhe sigurisht ato janë pjesë e veprave të mia, por kur vizitova Shqipërinë, vura re se këtu urat ishin shumë më të veçanta, shumë specifike, dhe unë aty shihja motive artistike. Ka diçka që më frymëzon tek këto ura dhe historia e tyre”, tha piktori Pellaton.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në datat 15-26 prill në sallën e ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar! E njëjta ekspozitë “3 Harqet”, e autorëve Pellaton dhe Zonja do të të vazhdojë më tej duke u transferuar në Francë për publikun ndërkombëtar.

17883570_1483920338337401_6250520887781121564_n 17903408_1483920418337393_7965323616174619990_n 17990674_1483920491670719_1425136829928659771_n 17903952_1483920048337430_5181471260302414298_n 17952553_1483920285004073_7750458559606789668_n

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!