“Roli i arsimit në luftën për pavarësi”, në Muzeun Kombëtar u mbajt veprimtaria “Një pasdite në muze”

Në sallën “Kostandin Shpataraku” të Muzeut Historik Kombëtar, u organizua veprimtaria “Një pasdite në muze” me temë: “Roli i arsimit në luftën për pavarësi”. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm dhe të ftuar studiues, nxënës dhe dashamirës të fushës së historisë.
Kjo temë kishte për qëllim të njihte pjesëmarrësit me disa prej faqeve të ndritura të historisë së shkollave të para kombëtare shqipe. Shkollat kombëtare shqipe u krijuan në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare duke ndryshuar rrënjësisht nga shkollat që ekzistonin deri në atë kohë në Shqipëri.Çelja e shkollave të para kombëtare shqipe është frut i përpjekjeve të përbashkëta të shqiptarëve, brenda dhe jashtë Atdheut, është frut i gjithë lëvizjes kombëtare shqiptare. Në atë periudhë u hodhën themelet e një arsimi përparimtar për kohën, të ndërtuar mbi baza kombëtare.
Në këtë veprimtari foli Drejtori i Muzeut Hiistorik Kombëtar, z.Dorian Koçi, i cili mes të tjerash tha: “Në historinë e popujve fqinjë nuk përmenden asnjëherë urdhëresa zyrtare për ndalimin e gjuhës së tyre të lëshuar nga Perandoria Otomane apo mallkime dhe anatemizma nga autoritete të tjera që ndanin pushtetin me Perandorinë Otomane, si mitropoli apo institucione të tjera fetare. Krejt i kundërt ishte ky realitet tek shqiptarët, të cilët duke qenë një nga popujt më të vjetër të rajonit, në fillim të zgjimit të tyre nacionalist dhe fillimit të krijimit të ndërgjegjes kombëtare u gjendën para një realiteti të trishtë. Gjuha e tyre, ajo që me fanatizëm e kishin përcjellë nga brezi në brez dhe që ishte krejt e veçantë nga gjuhët që flisnin rreth e rrotull, nuk kishte shumë vepra të lëna më para në memorien historike dhe për më tepër tashmë në shekullin e revolucionit industrial dhe të shpërndarjes së shtypit të shkruar, nuk shkruhej me një alfabet të saj origjinal, por me alfabete të tjera të huaja që nuk përfaqësonin dot denjësisht të gjitha tingujt e pasur të saj. Por sikur të mos mjaftonin vetëm këto vështirësi, atyre iu shtua dhe armiqësia e hapur dhe e shpallur e autoriteteve osmane dhe e klerit grek të cilët bënë ç’është e mundur që gjuha e tyre të mos shkruhej dhe humbiste pluhurit të kohës. Dënime me burgime, internime, urdhëresa ndalimi të përdorimit të saj, anatemizma dhe mallkime kishtare dhe deri në vrasje dhe eliminime fizike ndaj veprimtarëve, mësuesve dhe patriotëve të parë shqiptarë u bënë pjesë e kësaj doktrine denigrimi ndaj gjuhës shqipe. Emrat e Petro Nini Luarasit, Pandeli Sotirit, Papa Kristo Negovanit, Gjokë Shqiptarit etj. martirëve të gjuhës shqipe fajësojnë jo vetëm ndërgjegjen e njollosur të shovinizmit grek dhe otomanizmit të sëmurë lindor por shërbyen dhe për të forcuar dhe farkëtuar identitetin kombëtar të shqiptarëve”.
Më pas Presidenti i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, z. Shpëtim Sala mbajti kumtesën me temë “Roli i klubeve patriotime në hapjen e shkollave shqipe deri në vitin 1912.
Ndërsa historiani pranë Muzeut Kombëtar z. Ledio Xhoxhi mbajti kumtesën me temë “Roli i arsimit në luftën për pavarësi”. Në fjalën e tij ai theksoi: “Zhvillimi i arsimit kombëtar ndihmoi për të afirmuar të drejtat e kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe për të luftuar para opinionit publik tezat e gabuara antishqiptare që përhapeshin kundër popullit shqiptar”.

17903512_1481519838577451_6472984687179589286_n 17883909_1481519921910776_7140139613666225636_n 17522699_1481519785244123_1065579834478767243_n 17903606_1481519918577443_4245527432023564597_n 17884529_1481519788577456_585282712947174978_n

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!