“Mediterranea”, bienalja “pushton” Muzeun Historik Kombëtar

Muzeu Historik Kombëtar kthehet në arenën kryesore të një aktiviteti ndërkombëtar. Në këtë mënyrë fillim maji i vitit 2017 shënoi dhe edicionin e 18-të të një prej organizimeve më të mëdha kulturore, nismë e cila ka gjetur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës, Bashkisë së Durrësit dhe të rajonit të Pulias duke e bërë Shqipërinë të presë për herë të parë një event të tillë dedikuar të rinjve. Për herë të parë artistë nga e gjithë bota erdhën në Tiranë, për një bienale ndryshe, një bienale me koncepte të kuruara dhe të mbështetura nga rrjeti evropian “Creative Europe”.
Të paktën 230 artistë të rinj nga 23 vende të Europës dhe Mesdheut u bënë pjesëmarrës në eventin “Mediterranea”. Muzeu Historik Kombëtar, Galeria Kombëtare e Arteve, parqet, por edhe ambientet e teatrit të ri “Turbina” hapën dyert për të pritur mes datave 4 deri më 9 maj, artistë të rinj nën 35 vjeç, nga vende të ndryshme të Europës.
Krijuesit e rinj nga Shqipëria tanimë kanë një mundësi më të mirë për të ekspozuar veprat e tyre e njëkohësisht të ballafaqohen edhe me artistë të huaj. Për kuratorin Driant Zeneli, ky event sjell në Tiranë një koncept të ri të mbështetjes dhe ekspozimit të veprave të krijuesve të rinj.
Bienalja “Mediterranea 18 – Young Artists Biennale”, e cila për herë të parë organizohet në Shqipëri, është e ndërtuar mbi një koncept, e cila është shtëpia dhe ndahet në 4 degë: historia, konflikti, ëndrra dhe dështimi. Çdo ditë do të ketë një tematikë. Kjo ngjarje e madhe europiane e artit që e vendos Shqipërinë në axhendën kulturore të Europës për këtë javë, do të kulmojë më 9 Maj, në Ditën e Europës, me eventin përmbyllës në Amfiteatrin e Durrësit.
Për herë të parë një bienale të tillë me artistë të rinj nga e gjithë bota e shijoi Barcelona, e më pas çdo vit, një vend tjetër do të bëhej shtëpia e krijuesve të rinj. Eventi i organizuar në Shqipëri përkon me edicionin e 18-të të “Mediterranea”.

18278302_1510802312315870_3792108926501594465_o 18238592_1510802605649174_8956060626631635854_o 18278464_1510802598982508_968549700264828814_o 18278610_1510802542315847_8304254771587714070_o 18278267_1510802462315855_404385035947922983_o 18222624_1510802412315860_3209405038664582184_n 18320538_1510802358982532_1258772740200166083_o 18278294_1510802355649199_1919286123269306962_o 18319002_1510802308982537_2405744915152293265_o

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!