Çelet ekspozita fotografike “Ana Tjetër e Komunizmit shqiptar”, drejtori Dorian Koçi: Shqipëria ka qenë një rast i veçantë brenda Perandorisë të së Keqes

Nuk ishte e lehtë të ngrije objektivin, të gjeje një kënd të përshtatshëm, dritën dhe të fokusoje për të bërë fotografi rrugëve të një vendi komunist, të pasqyroje realitetin e trishtë të njerëzve, duke prishur kështu pamjen e retushuar e plot ngjyra që servirte vetë regjimi për atë që quhej “bota kapitaliste”. Në shumicën e rasteve aparatet fotografikë kontrolloheshin nga njerëzit e shërbimit sekret dhe filmat sekuestroheshin. Gjithçka ishte nën kontroll. Por ata mundën t’ia dilnin.
Ishin së paku 12 fotografë holandezë që e bënë të mundur një gjë të tillë. Misioni i tyre ishte t’i bënin të njohur botës faqen tjetër të jetës në vendet e Bllokut Komunist. Njëri prej tyre kishte në destinacion edhe Shqipërinë. Në vitin 1987 fotografi holandez Piet den Blanken fotografoi vendin e izoluar komunist, jo ashtu si programohej në protokollin zyrtar, por atë që fshihej tej fasadës, e që mbahej larg syve të turistëve kureshtarë. Fotografi është shprehur se Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara në botë dhe u desh që filmin e fotove ta fuste në bagazh të makinës në valixhet e një kolegu, për ta nxjerrë jashtë vendit. Dhe sikur të mos i kishte fshehur filmat fotografikë sot ato dëshmi do të ishin zhdukur. 30 vite më vonë, fotot e këtij ekipi janë rikthyer në Tiranë si pjesë e një ekspozite të përbashkët.
Në këtë mënyrë, në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar u çel ekspozita fotografike me titull: “The Other Side of Albanian Communism”, ose e shqipëruar: “Ana Tjetër e Komunizmit shqiptar”. Ajo mblodhi bashkë fotografët e famshëm holandezë, të cilët kanë dokumentuar që të gjithë periudhën para dhe gjatë revolucioneve të ndryshme në vendet e ish Bllokut Lindor. Ata kanë qenë dëshmitarë të çasteve historike, të tilla si krijimi në vitin 1980 i bashkimit polak të tregtisë, Solidariteti, në Gdansk; rënia e Murit të Berlinit dhe Revolucioni në Rumani, në vitin 1989. Gjithsesi, ata kanë kapur edhe momentet e zakonshme të përditshmërisë. Tërësia e fotove paraqet një pamje të paparashikuar dhe shumëplanëshe të Bllokut Lindor të asaj kohe.
Një pjesë e veçantë e ekspozitës i dedikohet punës së foto-gazetarit Piet den Blanken, i cili ka udhëtuar nëpër Shqipëri në vitin 1986, si pjesë e grupit të “shokëve të idealit”. Pavarësisht, se kontaktet midis shqiptarëve dhe vizitorëve të huaj ishin të ndaluara, si edhe ndalohej gjithashtu realizimi i fotografive në rrugë, ai mundi të bënte shumë fotografi të shqiptarëve dhe jetës së tyre të përditshme nën regjimin komunist.
“Ekspozita fotografike “The Other Side of Albanian Communism” është një ekspozitë që mundohet ta shikojë në mënyrë integrale historinë e zhvillimit të sundimit komunist në jetën publike të Evropës Lindore. Për herë të parë për publikun janë publikuar foto sesi dukej Shqipëria e viteve të fundit të diktaturës në sytë e një fotoreporteri të huaj. Është e vërtetë që Shqipëria ka qenë një rast i veçantë brenda Perandorisë të së Keqes, por ajo ka të përbashkëta diferencën në mjerimin njerëzor të ëndrrës për një jetë më të mirë dhe realitetit të trishtë që kishte ngërthyer vendet e Evropës Lindore në fund të viteve ’80. Ekspozita në vetvete është një thirrje për një dialog të hapur me të shkuarën dhe dëshmi antropologjike e vizuale e së shkuarës për atë çka ishte Shqipëria në fund të viteve ‘80”, tha në fjalën e tij, gjatë ceremonisë së çeljes së ekspozitës, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Dorian Koçi.
Në çeljen e ekspozitës merrte pjesë dhe ambasadorja e Holandës në Shqipëri, zonja Dewi van de Weerd.
Ekspozita në fjalë është mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së vendeve të Ulta në Tiranë, Muzeu Historik Kombëtar dhe Qendra Shqiptare e Rehabilitimit dhe Traumës dhe Torturës, drejtor ekzekutiv i të cilës është z. Adrian Kati.

20915488_1634756899920410_5663333524240889814_n 20882194_1634756329920467_8606697380674620359_n 20841858_1634756226587144_5891677519261747489_n 20914310_1634756096587157_3877801976769479929_n 20882099_1634755283253905_6523555130058493659_n 20842030_1634754519920648_5894480821986611997_n

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!