Përkujtohen viktimat e diktaturave, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Dorian Koçi: “Thelbi i totalitarizmit, kombinimi i tipareve të fashizmit dhe komunizmit”

Nisur nga mendimi i njerëzve me influencë, me gjasa shekulli i XX kishte mundësinë më të madhe për të qenë krejt human. Por në fakt ndodhi e kundërta. Veç luftërave lokale për ndarje territoresh e vendosje kufijsh, që në vitet e para në këtij shekulli, bota u përfshi nga dy luftëra të mëdha. Dhe si për t’i shkuar të keqes deri në fund, pas vitit 1945 në gjysmën e Europës u instalua një sistem totalitar, i cili do ta çonte numrin e viktimave në një bilanc të ri, të pabesueshëm. Në këtë mënyrë, e keqja më e madhe e shekullit të XX, vetë antihumanizmi u përcoll nëpërmjet regjimeve nazi-fashiste dhe atij komunist.
Sipas historianit z.Dorian Koçi, njëkohësisht edhe drejtor i Muzeut Historik Kombëtar: “Totalitarizmi është dukuri e shekullit të XX. Jo se në të kaluarën nuk ka pasur regjime qeverisëse që janë orvatur për sundim të pakufizuar, si Luigji i XIV në Francë që thoshte se: “Shteti jam unë”, por sundimtarët para shekullit të XX kurrë nuk mundën ta vendosin sundimin totalitar e të pretendonin për një kontroll qeverisës me të vërtetë total dhe aq më pak, ata nuk arritën ta manipulonin masën e gjerë të popullsisë. Totalitarizmi u bë i mundur në rrethanat e zhvillimit të teknologjisë së avancuar e të modernizimit të mëtejshëm të të gjitha mjeteve të komunikimit, të armëve dhe të ushtrisë. Këto zhvillime lehtësuan shtrirjen dhe forcimin e kontrollit të gjithanshëm shtetëror”.
Në nderim të viktimave të totalitarizmit, më 2 prill 2009 Parlamenti Europian ftoi që 23 gushti të shpallej: Dita europiane e përkujtimit të viktimave nga regjimet totalitare, për të përkujtuar në mënyrë të denjë e të paanshme kujtimin e viktimave të dëbimeve dhe asgjësimeve masive.
Në këtë kuadër, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit zhvilluan një simpozium përkujtimor dhe një ekspozitë, ku u fol për viktimat e terrorit nazi-fashist dhe atij komunist në Shqipërinë e viteve 1939-1990. Ministria e Kulturës përfaqësohej nga zv.ministri z.Zef Çuni. E pranishme në aktivitet ishte dhe znj.Susanne Schutz, Ambasadore e Republikës së Gjermanisë në Shqipëri, si dhe ambasadori i Polonisë, z.Karol Bachura. Ndërkohë që një kumtesë të rëndësishme mbajti dhe e nderuara, znj.Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Ndërsa Dr.Marenglen Kasmi, anëtar i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit mbajti kumtesën: “Dita europiane e kujtesës për viktimat e regjimeve totalitare dhe autoritare”.
Në kumtesën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Dorian Koçi do të theksonte: “Dallimet mes dy formave të totalitarizmit, atij komunist dhe atij fashist janë: Aspekti ekonomik dhe aspekti i marrëdhenieve me jashtë. Tek totalitarizmi komunist në aspektin ekonomik likuidohet prona private dhe vendoset prona shtetërore dhe shteti është pronar dhe punëdhënës i vetëm, kurse tek totalitarizmi fashist ruhet prona private nën kontrollin e shtetit, i cili diktohet nga politika qeveritare. Tek totalitarizmi komunist në aspektin e marrëdhenieve me jashtë dënohen vendet e tjera si imperialiste dhe mbisundon motoja “proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni, kurse tek totalitarizmi fashist kemi një nacionalizëm ekonomik dhe ekstrem. Kombinimi i të gjithë këtyre tipareve përbëjnë thelbin e totalitarizmit”.
Po çfarë përfaqëson 23 gushti?
Ishte ajo ditë e vitit 1939, një marrëveshje midis Gjermanisë Naziste dhe Bashkimit Sovjetik, e cila hapi rrugën drejt tragjedisë së Luftës së Dytë Botërore dhe pasojave të saj: kampet e përqendrimit, kampet me punë të detyruar, holokaustit, vendet e djegies së trupave, si dhe shumë vite të Luftës së Ftohtë dhe regjimeve të mëtejshme kriminale. Prandaj 23 gushti, ditë kur u nënshkrua paktit Ribbentrop-Molotov, u caktua dhe si “Dita Europiane e Kujtimit për Viktimat e Regjimeve Totalitare”.
Më 23 gusht kujtohen të gjithë ata, vdekja e të cilëve ishte pasojë e krimeve të kryera nga nazizmi dhe stalinizmi. 23 gushti sjell kujtimin e miliona personave që u vranë në regjimet totalitare, kryesisht të burgosurve, të kampeve të përqendrimit, kampeve të vdekjes, kampeve me punë të detyruar dhe burgjeve staliniste.
Në fund të këtij aktiviteti, drejtori Dorian Koçi i ftoi të pranishmit për një vizitë në pavijonin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në pavijonin e Persekutimit Komunist të Muzeut Historik Kombëtar.

21016109_1641032372626196_4685476706031928789_o 20988824_1641032895959477_4438333770530573166_o 20988918_1641031665959600_7262753610270582482_o 21083246_1641032315959535_8918502682816808021_o 20989040_1641032305959536_4269625347383218408_o

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!