Nevila Nika prezanton në Muzeun Historik Kombëtar librin “Larg dhe Afër”, Dr. Dorian Koçi: Ismet Toto, tribuni i mendimit intelektual shqiptar

Në edicionin e tretë të tij “Klubi i leximit pranë muzeut” solli pranë Muzeut Historik Kombëtar me botimin “Larg dhe Afër”, autor i të cilit është Ismet Toto, një nga intelektualët më në zë i viteve ’30, i dënuar me vdekje nga Zogu për organizimin e një kryengritjeje të armatosur. Libri, është një përmbledhje me artikuj dhe shkrime që Toto ka lënë pas, e që është bërë e mundur të botohet nën kujdesin e mbesës së tij, Prof. Dr. Nevila Nika.
Duhet theksuar se “Klubi i leximit pranë muzeut”, është logoja e veprimtarive periodike javore që po zhvillohen në Muzeun Historik Kombëtar, e cila mbështet gjithashtu fushatën kombëtare të leximit “Takohemi për një Libër” iniciuar nga Ministria e Kulturës.
Në këtë takim, nga ana e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi e vlerësoi Ismet Toton si një tribun të mendimit intelektual shqiptar. Për me tej Dr. Dorian Koçi do të thoshte se dhe me aktin e vdekjes së tij, kur Ismet Toto përpara trekëmbëshit të varjes ka kërkuar një krehër të krihte flokët e të vdiste i bukur dhe heqjen e vetë stolit duke e kryer në këtë mënyrë vetë ekzekutimin e tij, ka kryer një akt civil. Sipas Dr. Dorian Koçit, gjatë viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri emri i Ismet Totos u fut në analet e harresës, por dhe në vitet e demokracisë figura e këtij intelektuali të madh nuk ka marrë vlerësimin e duhur.
Nga ana e saj, mbesa e Ismet Totos, studiuesja e njohur. Prof. Dr. Nevila Nika tregoi për të pranishmit historinë familjare dhe aktivitetin shoqëror e politik të Ismet Totos dhe odisenë e gjatë për të mundësuar botimin e gjithçkaje ai kishte lënë pas si një intelektual e mendimtar përparimtar.
Ismet Toto, intelektuali që u dënua me vdekje nga regjimi i Mbetit Zog, është dhe një prej njerëzve që ka kontribuar për mendimin e ri shqiptar. Ai ishte më i riu i një plejade neoshqiptariste studiuesish, gazetarësh, kritikësh dhe shkrimtarësh të cilët u shquan për talent, aftësi, interesa të gjera dhe erudicion, guxim qytetar dhe prirje për shtigje të pashkelura. Shkrimet dhe përpjekjet e tij për të ndërtuar revista letrare përbëjnë ngjizjen e një mendimi intelektual evropian shqiptar. Ky vit shënjon 80-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

23843351_1748962795166486_3014832672475146460_n 23799891_1748962665166499_8391643350223639026_o 23825928_1748962971833135_1294924982433658373_o 23926348_1748962928499806_5499165264569851325_o

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!