Sot, në Muzeun Historik Kombëtar u bë promovimi i librit “Zoja e Shkodrës, Drita e Shqypniës – Konferenca shkencore ndërkombëtare”.

 Konferenca shkencore ndërkombëtare u mbajt në 22 prill 2017 në Shkodër me rastin e 550-vjetorit të zhvendosjes së figurës së “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Gjenacano, Itali. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Dom Nikë Ukgjini, Dom Artur Jaku dhe studiues të këtij botimi. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, falenderoi të gjithë studiuesit për këtë botim të rëndësishëm për “Zojen e Shkodrës”. “Mu dha mundësia për ta parë më parë këtë përmbledhje dhe ndoqa me shumë interes një pjesë të madhe të gjithë kumtesave dhe ato janë të lidhura kaq mirë nga ana e historike, arkivore, nga ana profesionale duke bërë një punim të mjaftueshëm që besoj se do t’i shërbejë dhe brezave të ardhshëm. Është shëmbulli më i mirë i mundësisë sesi njerëzit me pasion në kulturë mund të fillojnë dhe të rikthejnë sërish në dritë imazhet e trashëgimisë sonë kombëtare”, përfundoi Dr.Koçi.
Dom Nikë Ukgjini, i cili u morr me botimin e këtij libri, tha se: “Është kënaqësi sot, që jam pjesë e kësaj tryeze të rrumbullakët për të rrumbullaksuar disi 550-vjetorin të shpërnguljes së kësaj figure dhe njëkohësisht fillon dhe viti tjetër që është 550-vjetori i Skënderbeut. Kështu që, kemi mbarimin dhe fillimin e jubileu të ri, por një jubileu me ngjarje të cilat lidhen ngushtë njëra me tjetrën sepse dhe në temën time “Shënjtorja “Zoja e Shkodrës” në përballje me rrebeshet historike (shek. XV-XX)”, jam munduar të shpjegoj se pse u largua figura e Zojës së Shkodrës, a u largua pas vdekjes së Skënderbeut apo në ndonjë rrethanë tjetër.
Prof. Nikolla Civici foli më shumë për këtë ikonë me të dhënat e studimit të tij në këtë botim me temë: “Identifikimi i pigmenteve inorganikë përmes metodës së fluoreshencës së rrezatimit X”. Më pas fjalën e morri studiuesja e artit pamor Eli Kamberi, e cila foli për studimet që ka bërë ndër vite rreth artit shqiptar dhe pikturës murale.
Prof. Dr. Nevila Nika shpjegoi me pak fjalë studimin e saj me temë: “Trajtimi i problemeve shoqërore dhe ekonomike nga kleri katolik shqiptar gjatë shek. XIX”.

***********
Zoja e Shkodrës apo Zoja e Kshillit të Mirë paraqet një imazh të njohur të Shën Marisë me Krishtin fëmijë. Kompozimi paraqet një figurë të saj nga mesi e lart, ku Maria mban fëmijën me krahun e saj të majtë në një atmosferë të ngrohtë afrimiteti. Portretet janë trajtuar me delikatesë dhe profesionalizëm. Portreti i Virgjëreshës mban vështrimin poshtë dhe prek pak Krishtin me sytë blu, që njërën dorë e mbështet në gjoksin e Marisë ndërsa dora tjetër përfundon butësisht në qafën e saj. Të dyja figurat paraqiten në një hapësirë të thjeshtë, me një sfond të errët, ku dallojnë dy aureola të ndryshme mbi kokat e tyre si dhe një ylber shumëngjyrësh që përshkon sfondin. Piktura është ekzekutuar me ngjyra vaji mbi një shtrat përgatitor shumë të hollë, në një kanavacë të thurur dendur.
Kjo ikonë gjendej në kishën kushtuar Sh. Marisë në Shkodër. Historia e njohur e këtij imazhi fillon në 25 Prill 1467, kur vepra (një fragment afresku i prerë dhe i hequr) u zhvendos nga një mur i kishës së vjetër agostiniane Shën Maria në Shkodër dhe u vendos në Santuarin e Maddona del Buon Consiglio në Genazzano, një kishë ndërtuar që në shekullin e dhjetë pranë Romës. Sipas një legjende, në vitin 1467, kur trupat osmane e mbanin Shkodrën në rrethim e kërcënonin të çshenjtëronin kishën, piktura u shkëput për mrekulli nga muri dhe e mbajtur nga engjëjt u largua nga ndërtesa dhe mori fluturimin drejt perëndimit mbi detin Adriatik për në Itali. Në këtë largim e ndoqën dy shtegtarë shqiptarë, Gjergji dhe De Sclavisi. Këshilli i katërt i peshkopëve shqiptarë, i mbajtur në vitin 1895, e shpalli Zojën e Shkodrës “Pajtore të Shqipërisë”. Shkodranët e shprehin në këngë mjerimin që pushtoi qytetin pas shtegtimit të Figurës së Zojës dhe pushtimit osman:
“Qysh at ditë që na u largove,
Te tana të zezat na kan ra”.
Nuk ka të dhëna për vendin e origjinës të pikturës dhe as për autorin apo periudhën kur u interpretua. Mendohet se është një pikturë e interpretuar në shek. XIX. Nga të dhënat e deritanishme (jo të dokumentuara) rezulton se vepra i është dhuruar Katedrales. Informacioni i vetëm deri tani është se piktura ka qenë e vendosur në altarin e Katedrales së “Shën Shtjefnit” në Shkodër. Në periudhën kur u ndalua besimi fetar dhe institucionet fetare u mbyllën nga shteti (1967), Katedralja e “Shën Shtjefnit” u transformua në një pallat sporti. “Zoja e Shkodrës” u transferua bashkë me objekte të tjera liturgjike në muzeun e ateizmit që ndodhet gjithashtu në Shkodër. Në këtë muze, vepra qëndroi për shumë vite e më pas, në vitet ’90 u kthye përsëri në Katedralen e “Shën Shtjefnit”, për t´u ekspozuar në famullinë e saj. Vepra ndodhet në Famullinë e Katedrales së “Shën Shtjefnit”, Shkodër nën kujdesin e Dom Artur Jakut, që është Administrator Famullitar në këtë Katedrale.

23916645_1749576215105144_6209457093006976553_o 23926645_1749576148438484_6895997100657056118_o 23926475_1749576035105162_5094470791827781066_o 23847518_1749575988438500_6046395741462645329_o 23916749_1749576521771780_2891466943294474169_o

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!