“Unë jam shqiptar”, çelet ekspozita në Ditën Ndërkombëtare të Emigracionit

“Unë jam shqiptar”. Edhe në ditët më të vështira që ka përjetuar kombi, sërish gjithkush që ka marr një çantë krahëve dhe ka kapërcyer kufirin për të mbërritur në tokën e huaj, është shprehur me një krenari të ligjshme: “Unë jam shqiptar”.
Për të përkujtuar këta njerëz, që gjithsesi mbeten promotor të ekonomisë dhe ambasadorë të shoqërisë shqiptare në vendet e tjera, në Ditën Ndërkombëtare të Emigracionit çelet ekspozita me logon “Unë jam shqiptar”. Iniciativa për të zhvilluar një veprimtari të tillë mbetet e Ministrit të Shtetit për Diasporën z.Pandeli Majko në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar. Në këtë ekspozitë me pjesëmarrje të gjerë, nuk munguan as përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë.
Në fjalën e tij të rastit, Drejtori i Muzeut Kombëtar Dr. Dorian Koçi tha: “Diaspora shqiptare është e pranishme kudo në botë. Në çdo kohë veprimtaria ekonomike e emigrantëve shqiptarë mbeti një faktor i rëndësishëm ekonomik në buxhetin e familjeve të tyre. Diaspora ka bërë përpjekje të mëdha për t’u integruar në jetën ekonomike, politike dhe kulturore të vendeve ku ka emigruar. Ajo shërben gjithashtu, si urë lidhëse ndërmjet vendit amë dhe vendeve pritëse. Në shumë nga vendet mikpritëse emigrantët kanë themeluar shoqatat e tyre.
Më pas fjalën e mori Inva Mula, si përfaqësuese e emigracionit shqiptar. “E lashë Tiranën para 27 vitesh dhe ndoqa ëndrrën time në Paris. Pas meje erdhën dhe shumë artistë të tjerë të shkëlqyer që kanë bërë karrierë në skenat botërore. Dhe të gjithë jemi krenarë që jemi shqiptarë”, tha mes të tjerash sopranoja e famshme.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj që foli në fund, gjithashtu e vlerësoi punën e emigrantëve shqiptarë në zhvillimin e mëtejshëm të vendit. “O sa mirë me qenë shqiptar”, nuk do të thotë të punosh vetëm në Shqipëri. Emigracioni na ka definuar si një komb kozmopolit, dhe sot kjo gjë është një aset”, tha Veliaj i cili shtoi më pas se edhe ai vetë ishte produkt emigracioni.
Më pas të pranishmit, nëpërmjet një ekrani të madh, ndoqën një video ku ishin montuar përshëndetjet e emigrantëve shqiptarë nga shumë qytete të botës.
Emigrimi ka qënë historikisht pjesë e zhvillimit njerëzor dhe në thelb është shprehja e dëshirës dhe vendosmërisë së individit për të dalë mbi vështirësitë, duke shpresuar dhe projektuar një jetë më të mirë për veten dhe familjen. Krahasuar me popullsinë në vendin e origjinës, migracionit shqiptar mund të krahasohet si ndër më të mëdhenjtë në botë.
Në ekspozitë pasqyrohen periudhat e migrimit të shqiptarëve, personalitetet më me emër të diasporës shqiptare, të cilët punuan fort për të mbajtur lart emrin shqiptar dhe nuk e harruan kurrë vendlindjen e tyre, sepse, edhe pas shumë vitesh larg atdheut, thonë me krenari: Unë jam Shqiptar.
Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skëndërbeut, si përfaqësues i epokës më të lavdishme të shqiptarëve por dhe kohës kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar. Ekspozita përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe Rilindësve shqiptarë. Fotoja e emigrantit të parë në SHBA është njëçast i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar më fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë. Pjesa tjetër e ekspozitës, por jo më pak e rëndësishme, prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalitetet e suksesshme shqiptarë në vendet e emigrimit të tyre.

25438903_1776756825720416_4585402431250536061_o 25488215_1776756162387149_401464457465366807_o 25394975_1776755882387177_5529586102706674833_o 25398998_1776755779053854_464510043330591266_n 25396030_1776755719053860_3896193065847507963_n 25532120_1776755642387201_2161185498860496430_o 25438673_1776755605720538_823478208087286509_o 25398932_1776755095720589_5821570680979038534_n 25395797_1776755175720581_304627489555221686_n 25395753_1776755252387240_3232722222016822575_n 25507987_1776755369053895_7220933250664805213_n 25438982_1776755572387208_8211227036234333513_o

 

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!