Organizohet vempritaria me temë: “220-vjetori i lindjes së Naum Veqilharxhit”

“Evëtari” i tij nuk gjeti zbatim të gjerë, por gjithsesi ishte puna më serioze deri në atë kohë për të pasur një alfabet ndryshe të gjuhës shqipe.
Në përvjetorin e tij të lindjes, Naum Panajot Bredhi, apo i mbiquajtur ndryshe Naum Veqilharxhi, u përkujtua në një nga ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. “Një pasdite në muze” e organizuar nga Sektori i Menaxhimit të Koleksioneve zhvilloi me këtë rast veprimtarinë me temë: “220-vjetori i lindjes së Naum Veqilharxhit”. Referuan rreth kësaj teme Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, dhe Dr. Rovena Vata nga Akademia e Studimeve Albanologjike.
Naum Veqilharxhi, njihet si pionieri i lëvizjes sonë kulturore patriotike të shekullit XIX. Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi tha se Veqilharxhi është ideologu i parë i Rilindjes në Shqipëri, një nga ata që u hapën udhën ideve të reja politike e kulturore kombëtare. Për më tej Dr. Dorian Koçi bëri një ekspoze të gjerë të kushteve në të cilat filloi iluminimi dhe ndërgjegjësimi kombëtar. “Punën e tij si atdhetar iluminist Naum Veqilharxhi e nisi me krijimin e një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe, të përbërë prej 33 shkronjash. Ideja kombëtare për së pari filloi nga zhvillimi i arsimit dhe një gjë e tillë nuk mund t’i atribuohet një njeriu, por plejadës së tërë. Gjithsesi Naum Veqilharxhi ishte ai që e filloi punën e tij në një “tokë djerrë”, dhe pas 20 viteve na dha një alfabet krejt të veçantë me të cilën mund të shkruhej gjuha shqipe”, tha mes të tjerash në fjalën e tij Dr. Dorian Koçi.
Për të pranishmit që merrnin pjesë në këtë aktivitet Dr. Rovena Vatën, do të shtonte se Naum Veqilharxhi ishte njeriu që kërkonte arsimimin e përgjithshëm të popullsisë, që punoi fort për të njehsuar dy dialektet e shqipes dhe që punoi gjithashtu për pastrimin nga fjalët e huaja të fjalorit shqip. Veqilharxhi ishte vetëm 27 vjeç kur filloi punën me Evëtarin, dhe ndërgjegjësimi kombëtar i shqiptarëve pas kësaj veprimtarie do të pengonte përhapjen e helenizmit në trevat ku ata jetonin. Me veprimtarinë e tij Naum Veqilharxhi fitoi dashurinë dhe respektin e bashkatdhetarëve patriotë, por edhe mërinë e armiqve të Shqipërisë. Sipas Dr. Rovena Vata, Naum Veqilharxhi me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e popullit shqiptar. “Si iluminist revolucionar, Naum Veqilharxhi kërkoi zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe mendonte se mësimi i shqipes dhe ngritja e kulturës mund ta vinin atdheun në radhët e vendeve të qytetëruara”, tha në fjalën e saj Dr. Rovena Vata.
Dr. Dorian Koçi në fund të këtij takimi tha se Naum Veqilharxhi u përpoq të krijonte një shoqëri kulturore dhe të organizonte atdhetarët e tjerë, prandaj e helmuan në Stamboll. Po sipas tij, disa nga veprimtarët e shquar të rilindjes kombëtare shqiptare si Naum Veqilharxhi, Petro Nini Luarasi e Pandeli Sotiri, kanë përfunduar të eleminuar nga qarqet antishqiptare, dhe kjo nuk është një legjendë urbane.

25488118_1779137368815695_7705059392188416831_o 25626998_1779137542149011_4825566777379173441_o 25542654_1779137475482351_6264295653539990685_o

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!