Finalizohet projekti “Vizatoj Historinë”, ndahen 9 çmime për nxënësit dhe 9 certifikata për shkollat

Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Zyrën Arsimore të Kamzës organizoi hapjen e ekspozitës “Vizatoj Historinë” me piktura të objekteve të ekspozuara në pavijonet e muzeut nga nxënës të 9 shkollave 9-vjeçare të Tiranës.
“Nuk ka kënaqësi më të madhe, të paktën edhe për mua vetë si prind, edhe për prindërit e mësuesit që janë këtu, që Muzeu Historik Kombëtar të jetë i mbushur sot me këta nxënës, por të jetë i mbushur edhe me këtë ekspozitë e cila tregon një përqasje dhe afrim tjetër drejt artit e së bukurës. Dy kategori estetike, të cilat njeriu i kërkon vazhdimisht gjatë gjithë jetës së vet, por që në të njëjtën kohë nuk do të ishte e mundur pa bërë një bashkëpunim shumë të ngushtë me Zyrën Arsimore të Kamzës për të treguar dhe rrëfyer edhe një herë që Muzeu Historik Kombëtar, muzeu i gjithë shqiptarëve, nuk është i përqëndruar vetëm në shkollat në qendër të Tiranës, me të cilat ne i kemi bashkëpunëtorë prej shumë kohësh, por është edhe projekti i parë pilot që ne kemi menduar për të qenë në zonën e Kamzës dhe pse jo edhe më vonë dhe në zona të tjera. I pashë me kënaqësi punimet e kësaj ekspozite dhe dora e talentuar e nxënësve, të cilët nuk vijnë nga një shkollë arti, por janë nxënës siç kemi qenë të gjithë ne, me një pasion të madh për pikturën çka në të vërtetë na kanë dhuruar vepra që tregojnë një talent të admirueshëm të tyre, por jo vetëm kaq ata përçojnë dhe një kulturë të marrjes së informacionit në ambientet tona të Muzeut Historik Kombëtar. Besoj se, nëpërmjet këtij projekti ju keni arritur sadopak të hyni në dinamikat dhe në zhvillimet e vetë historisë sonë kombëtare nëpërmjet vizatimit, nëpërmjet identifikimit të figurave dhe ngjarjeve tona të rëndësishme historike”, tha Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi.
Ndërsa drejtoresha e Zyrës Arsimore të Kamzës, znj. Ermioni Cekani, ndër të tjera tha: “Të dashur nxënës të shkollave 9-vjeçare të Kamzës. Sot, më shumë se kurrë më keni bërë krenare, jo vetëm mua, por edhe mësuesit e prindërit tuaj. Të njohësh historinë dhe ta përçosh atë është një nga detyrat më të rëndësishme që kemi ne mësuesit tuaj. Ky aktivitet i përbashkët me Muzeun Historik Kombëtar pati një vlerë shumë të madhe pasi në zbuluam talente të reja krijuese. Ju falendëroj të gjithëve për angazhimin dhe pjesëmarrjen, por dua të falenderoj veçanërisht drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar, z. Dorian Koçi, si edhe stafin e tij, të cilët janë të gatshëm në çdo kohë për t’ju përgjigjur kërkesave apo bashkëpunimeve tona të ndryshme”.
Ceremoninë e përshëndeti edhe Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, z.Abaz Hado. “Këto aktivitete jo vetëm që na japin gëzim, por edhe na emocionojnë sepse kudo që ka rini, kudo që ka talente ne, si Bashkia Tiranë, duam t’i zbulojmë ato. Ne duam që të rinjtë të merren me art e gjëra të bukura dhe Muzeu Historik Kombëtar po bën një punë, që institucionet e tjera nuk po e bëjnë, duke mbajtur aktivitete të shumta historike, shkencore, artistike apo sociale”, u shpreh z.Hado.
Shkollat pjesëmarrëse kishin përgatitur edhe një program festiv me valle, këngë e recitime. Drejtoresha e Zyrës Arsimore të Kamzës znj.Cekani, i dorëzoi Muzeut Historik Kombëtar një ‘Certifikatë Mirënjohje’ për bashkëpunimet e suksesshme mes dy institucioneve.
U vlerësuan me certifikata mirënjohje shkollat 9-vjeçare “Hilari Klinton”, “Demokracia”, “Ibrahim Basha”, “Jashar Hoxha”, “100 vjetori”, “Kamza e re”, “Tahir Sinani”, “Azem Hajdari” dhe shkolla “Halit Coka”. Në përfundim të projektit “Vizatoj Historinë” u ndanë dhe këto çmime:
Çmimi i Parë e shkoi nxënëses Ilda Musabelliu, shkolla “100 vjetori”, me punimin e shtatores së një gruaje.
Dy çmimet e dyta i shkuan nxënësve: Aleks Mema, shkolla “Azem Hajdari” dhe Eglantina Kotarja, shkolla “Halit Coka”.
Tre çmimet e treta shkuan për nxënësit: Ilda Elezi, shkolla “Tahir Sinani”, Samanta Qose, shkolla “Azem Hajdari” dhe Eranda Halilaj, shkolla “Demokracia”.
Tre çmimet inkurajuese i morën nxënësit: Adriana Koleci, shkolla “100 vjetori”, Klarisa Marku”, shkolla “Azem Hajdari” dhe Kejvin Marku, shkolla “Jashar Hoxha”.

27858541_1843033505759414_309985028043453235_n 27788607_1843033275759437_8012695522436009348_o 27751486_1843032839092814_5169174707492514491_n 27993005_1843032665759498_1608504345058359295_o 27992962_1843032369092861_3126624499285270020_o 27797861_1843032309092867_351114471575349790_o 28061748_1843032075759557_1884431574462383983_o 27983496_1843031885759576_4395175096729410707_o 27858782_1843031929092905_6610816426138411345_n

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!