U organizua konferenca me temë : “Misionet arkeologjike franko-shqiptare: mes kërkimit shkencor dhe rivlerësimit turistik dhe kulturor të trashëgimisë”.

Muzeu Historik Kombëtar, Ambasada e Francës në Tiranë dhe Instituti i Arkeologjisë organizuan, me rastin e Pranverës Frankofone në Shqipëri, konferencën me temë: “Misionet arkeologjike franko-shqiptare: mes kërkimit shkencor dhe rivlerësimit turistik dhe kulturor të trashëgimisë”.
Muzeu Historik Kombëtar morri pjesë në këtë aktivitet me një ekspozitë që përkujton kontributin e misioneve franceze në arkeologjinë shqiptare dhe synon të japë një panoramë mbi rrugëtimin sa aventuresk dhe shkencor të këtyre grupimeve arkeologësh, të cilët së bashku me kolegët e tyre shqiptarë, ndanë pasionin dhe përkushtimin për të zbuluar dhe dokumentuar aspekte të ndryshme të së shkuarës së largët në territorin shqiptar. Eksponatet e përzgjedhura për këtë ekspozitë, konsistojnë në artefakte të llojeve dhe materialeve të ndryshme, me një shtrirje kronologjike nga periudha e Neolitit të Vonë deri në Mesjetë, të cilat janë përzgjedhur nga qendrat ku sot janë përqendruar kërkimet e përbashkëta shqiptaro – franceze. Organizimi i tyre është realizuar sipas kategorive të objekteve dhe rendit kronologjik. Kështu prehistoria përfaqësohet nga objekte të zbuluara kryesisht në vendbanimin e Maliqit (Korçë); periudha antike përfaqësohet nga objektet kushtuese (terrakotat) të gjetura në Kodrën e Dautës në Durrës por edhe në qytetin e Apolonisë; qeramika helenistike e ekspozuar vjen nga qyteti i Apolonisë; kandilat prej balte e bronzi janë zbuluar në nekropolin e Apolonisë; stolitë e mesjetës i përkasin vendbanimit të Kalasë së Dalmacës. Kategoritë e fundit të objekteve, ato prej kocke e qelqi vijnë nga Apolonia.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij përshëndetëse tha se: “Është një kënaqësi e veçantë për Muzeun Historik Kombëtar si intitucioni më i madh i kujtesës kolektive të shqiptarëve të bëj të mundur që vazhdimisht të jetë pjesë e bashkëpunimeve të tilla të frytshme me Institutin e Arkeologjisë, me Ambasadën Franceze apo dhe me të gjithë faktorët e tjerë që kontribojnë në Trashëgiminë Kulturore shqiptare. Muzeu Historik Kombëtar merr pjesë në këtë aktivitet me një ekspozitë, me një rinxjerrje të objekteve tona që ne kemi nga gërmimet që kanë bërë arkeologët shqiptarë dhe francezë dhe që janë të ekspozuara në Pavijonin e Arkeologjisë. Kontributi dhe bashkëpunimi francez përforcojnë dhe avancojnë dijet për të kaluarën e territorit shqiptar për një shtrirje të gjerë kohore nga Prehistoria deri në Mesjetë, si dhe promovojnë kërkimin në shumë drejtime të tjera, qoftë nëpërmjet trajnimit të studiuesve të rinj, nëpërmjet promovimit dhe mbështetjes së punës në terren, duke ofruar burime njerëzore të kualifikuara, si dhe duke përhapur rezultatet e kërkimeve për një publik më të gjerë. Territoret shqiptare dhe qytetet antike të gjendura në to, nuk janë qytete të zakonshme, qytete të krijuara vonë, por kanë mbi vete shumë shekuj histori e kulturë, trashëgimi historike që dita ditës po ringjallet”, përfundoi Dr. Dorian Koçi.
Në ceremoninë e hapjes Prof. Dr. Luan Përzhita, drejtor i Institutit të Arkeologjisë, ndër të tjera tha se: “Natyrisht që është një ngjarje e veçantë për institutin e arkeologjisë dhe për gjithë kërkimin shkencor që organizojmë sot në ditët e Pranverës Frankofone. Një ndër kontributet kryesore të punës kërkimore shkencore të institucionit të arkeologjisë në bashkëpunim me Universitetet franceze. Marrëdheniet bashkëpunuese franko-shqiptare në këtë fushë janë të hershme dhe për të gjithë ne figura e themeluesit të këtij bashkëpunimi që shtrihet gjatë në kohë është Leon Rey. Ky vit shënon edhe pikënisjen e vepres së rëndësishme të Leon Reyt, kësaj figure emblematike në fushën e kërkimive arkeologjike në Shqipëri që prej 95 vitesh me parë kërkimet e para arkeologu dhe studiuesi francez i realizoi në Durrës, e më pas në Apoloni”.
Ambasadorja e Francës, znj. Christina Vasak, falenderoi Muzeun Historik Kombëtar dhe Institutin e Arkeologjisë për mundësimin e këtij aktiviteti. Znj. Ambasadore bëri një panoramë të përgjithshme të misioneve aktuale arkeologjike franceze në Shqipëri. “Me rënien e regjimit komunist në Shqipëri, në vitet 1993 – 1994, misionet e përbashkëta shqiptaro – franceze përfshijnë shumë qendra të rëndësishme dhe shtrihen në shumë periudha dhe fusha kërkimore. Së bashku me shkollën dhe institucionet shqiptare të arkeologjisë, shkolla franceze mbështeti kërkimin arkeologjik dhe propagandimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri”.
Gjatë seancës së parë me temë “Apolonia e Ilirisë” referuan kumtesat e tyre: Stéphane Verger, Profesor në Ecole Pratique des Hautes Etudes, Drejtor i Laboratorit “Arkeologjia dhe Filologjia e Lindjes dhe Perëndimit” dhe Prof. Asoc. Belisa Muka, Instituti i Arkeologjisë Tiranë. Gjatë seancës me temë “Sovjan dhe Kallamas, pellgu i Korçës” referuan: Cécile Oberweiler, Kërkuese shkencore e asociuar Protohistoria e Egjeut dhe Prof. Petrika Lera, Instituti i Arkeologjisë Tiranë. Në seancën me temë “Lugina e poshtme e Drinit (Lezha, Komani, Sarda)” referuan Etleva Nallbani, Arkeologe për Mesjetën dhe Dr. Elvana Metalla, Instituti i Arkeologjisë Tiranë. Në seancën me temë “Dyrrachium (Durrës)” referuan Catherine Abadie Reynal, Profesore për arkeologjinë greke dhe Prof. Asoc. Eduard Shehi, Instituti i Arkeologjisë Tiranë. Ndërsa, Jean-Michel Follin, Profesor, Ecole Supérieure de Géomètres et Topographes (ESGT-CNAM), Le Mans bëri një prezantim mbi të dhënat zyrtare të GIS të misionit të Durrësit.
Në fund gjithë të pranishmit vizituan ekspozitën e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar.

28577222_1863965390332892_7576987608774807885_n 28516225_1863964866999611_7550203055319585205_o 28378544_1863964246999673_1511632259195644298_n 28377698_1863963810333050_3970493443169055113_n 28423125_1863963690333062_5425165668364045078_o 28379728_1863963506999747_8573189168098051349_n 28423265_1863962530333178_2317821186424890620_o 28576329_1863963380333093_535362923863103494_n 28660522_1864002203662544_23629704471942612_n

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!