“Ditënetët e Librit”

Padyshim, kjo është një festë libri. Por ka dhe më shumë se kaq. Aktivitete të panumërta. Arie, opera dhe vargje. Me gjuhë franceze e ruse. Prezantime fragmentesh nga letërsia gjermane, spanjolle, greke e turke! Përkthime të kantautorëve italianë. Dokumentarë filmikë. Lexime dhe interpretime. Promovime. Konkurse. Krijime të reja.
E çfarë duhet më shumë se kaq.
“Ditënetët e Librit”, është festivali që u çel në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar dhe që është cilësuar që në iniciativën e saj si një ngjarje që mëton të bëjë bashkë dhe fuqizojë trinomin “Autor – Botues – Lexues”.
Ky Festival, si një ngjarje e rrallë kulturore dhe edukative ka mundur t’u japi hapësirën e nevojshme stendave të ekspozimit, aq sa dhe hapësirave kolektive për aktivitete gjithëpërfshirëse, me misionin e përbashkët të nxitjes të afrimit me librin.
“Kultura e Leximit i shërben shoqërisë së shëndetshme, i shërben fëmijëve që po rrisim, i shërben të ardhmes më të mirë. Këtu duhet të jemi bashkë, për të ndihmuar sado pak në përhapjen e frymës së leximit”, tha mes të tjerash në fjalën e saj përshëndetëse gjatë ceremonisë së hapjes se panairit te librit “Ditënetët e Librit”, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Më pas ajo do të shtonte “Të bëhemi bashkë në këtë sfidë të kohës marrëzisht moderne për të shtuar Lexuesit, të bëhemi bashkë për të lënë një shenjë të rëndësishme në jetën e fëmijëve tanë: t’i pasurojmë ata me pasionin e Leximit!”.
Vetë Muzeu Historik Kombëtar në panairin “Ditënetët e librit” i cili organizohet nga Klik Ekspo Group, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, sjell ekspozitën me libra për figurën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, pjesë e koleksionit privat të z. Ylli Sula. Gjithashtu sjell edhe stendën me botimet e Muzeut Historik Kombëtar ndër vite.
Në “Ditënetët e Librit”, hapësirat dhe kalendari i evenimenteve janë të orientuara nga vizitori, për t’i dhënë lirshmërinë e protagonizmin e nevojshëm publikut duke qenë pjesë përbërëse e vetë ngjarjes kulturore: të rinjtë dhe komuniteti i lidhur me librin dhe kulturën, përfitojnë si vlera konkrete përmes librave të blerë ose dhuruar, por edhe vlera të tërthorta të kalimit të kohës së lirë në mënyrë cilësore.
E veçanta e këtij eventi, në ndryshim nga panairet e tjera, është se kultura dhe libri do të jenë në qendër të një diskutimi të madh, ku do të përfshihen autorë, studiues, menaxherë dhe ekspertët, e ku do të ketë debate për letërsinë shqipe dhe atë të huaj.
Për pesë ditë me radhë, nga data 16 maj deri më 20 maj do të ketë një mori aktivitetesh ku do të mbledhin bashkë të gjithë botuesit, autorët, lexuesit, drejtuesit e institucioneve kulturore dhe promovuesit e librit dhe të kulturës në Shqipëri, Kosovë dhe Evropë.

32637178_1956614191068011_5731741905004265472_o 32687054_1956614501067980_6168566072149540864_n 32846958_1956615451067885_8749729086470881280_n 32684971_1956614361067994_1221022703620718592_o 32692538_1956614137734683_5326015263882084352_n 32737485_1956614307734666_2923091442429591552_n

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!