Ekspozita “Besëlidhja e lirisë 1878”

Muzeu Historik Kombëtar çeli sot ekspozitën “Besëlidhja e Lirisë 1878” në kuadër të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë ekspozitë paraqitet rruga dhe veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën e hapjes së kësaj ekspozite tha se: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit përfaqëson unitetin e kombit shqiptar, pasi ishte një krijesë e Komitetit Shqiptar të Stambollit që përbëhej nga intelektualët shqiptarë më të shquar të të gjithë krahinave të Shqipërisë e krijuar në kryeqendrën e Kosovës, që përfaqësonte elementin e forcës më të suksesshëm shqiptar në Perandorinë Otomane. Për më tepër vendimet e saj prekën si Veriun dhe Jugun, Lindjen dhe Perëndimin e Shqipërisë, duke i dhënë kohezionin e duhur shoqëror dhe kombëtar shqiptarëve”.

Ekspozita “Besëlidhja e Lirisë 1878” hapet me hartën, që tregon katër vilajetet shqiptare atë të Shkodrës, të Janinës, të Kosovës dhe të Manastirit. Stenda e dytë paraqet gjendjen ekonomiko-kulturore dhe sociale të Shqipërisë të shek. XIX. Stenda e tretë, Luftën Ruso-Turke dhe shpërnguljet e shqiptarëve. Stenda e katërt i kushtohet Komitetit të Stambollit, i cili u krijua më 18 dhjetor 1877. Kryetar i Komitetit të Stambollit u zgjodh Abdyl Frashëri. Stenda e radhës tregon Traktatin e Shën Stefanit (3 mars 1878). Në ekspozitë pasqyrohet aksioni i Gjakovës (korrik – shtator 1878). Shqiptarët mbrojtën me heroizëm Plavën e Gucinë dhe Hotin e Grudën. Por më 26 nëntor 1880, forcat osmane hynë në Ulqin dhe ua dorëzuan atë malazezëve. Në stenda paraqitet edhe mbrojtja e territoreve në Shqipërinë e Poshtme Gjirokastra, Arta, Janina dhe Preveza.
Ekspozita flet për mendimin politik të shqiptarëve, të cilin e gjejmë te shkrimet e Vaso Pashës (Pashko Vasës), Jeronim De Radës, Elena Gjikës (Dora D’istria) etj.
Ekspozita mbyllet me formimin e Qeverisë së Përkohshme, janar – prill 1881, në të cilën bënin pjesë Ymer Prizreni (kryetar), Shuaip Spahiu (nënkryetar), Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi etj.
Ekspozita “140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” është pasuruar me objekte vetjake të patriotëve shqiptarë, si të Mic Sokolit, të Jeronim De Radës, të Sami Frashërit, të Ali Pashë Gucisë, të Iljaz pashë Dibrës dhe të Daut Boriçit. Gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, veprimtaria e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare nuk u shpreh vetëm në luftën e përditshme politike, diplomatike e ushtarake për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe për formimin e shtetit kombëtar shqiptar, por njëherësh edhe në zhvillimin e vrullshëm të mendimit politik, filozofik e shoqëror, si edhe të veprimtarisë publicistike, letrare e shkencore. Ekspozita plotësohet me librat të botuar në vitet e Lidhjes, me autorë Elena Gjika, Thimi Mitko, Vaso Pasha, Jani Vreto, Naim Frashëri etj. Në stenda nuk mungojnë edhe armë të shek. XIX, për të ilustruar luftën e organizuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e territoreve shqiptare.
Lëvizja Kombëtare Shqiptare, të cilën e udhëhoqi Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shënoi një hap të madh cilësor nga pikëpamja e platformës ideologjike, e kërkesave politike dhe e frontit luftarak, në krahasim me lëvizjen çlirimtare të dhjetëvjeçarëve të kaluar. Lidhja e Prizrenit qe e para lëvizje çlirimtare me karakter kombëtar, sepse në të morën pjesë të gjitha krahinat e Shqipërisë. Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit tregoi rëndësinë e madhe që kishte për betejat e ardhshme çlirimtare edukimi i popullit shqiptar me ndërgjegjen kombëtare nëpërmjet shkollës shqipe, letërsisë shqiptare dhe publicistikës atdhetare.

34881255_1983975811665182_6853039805928833024_n 34794686_1983975761665187_8700271434250846208_n 34781079_1983975568331873_5973447408699310080_n 34794224_1983975838331846_6080441911695376384_o 34830682_1983976078331822_7336016643664904192_o 34791218_1983975458331884_8170762177800568832_o

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!