Projekti i trashëgimisë kulturore First Aid – HEFA

Muzeu Historik Kombëtar pati kënaqësinë të presë në ambientet e veta prezantimin e projektit të trashëgimisë kulturore HERITAGE EUROPE FIRST AID – HEFA, i cili ka në fokus formimin e infrastrukturës njerëzore dhe të një laboratori restaurimi, i cili do të trajtojë pasurinë arkeologjike të zbuluar ndër vite nga ekspeditat kërkimore.
Ky aktivitet u organizua nga Ambasada e Italisë në Shqipëri, Instituti Italian i Kulturës, Agenzia Italiana per la Cooperazione allo Sviluppo, Italian Trade Agency, Instituti i Arkeologjisë dhe Muzeu Historik Kombëtar. Hapjen e këtij workshop-i e përshëndeti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, i cili tha se: “Të gjitha objektet e trashëgimisë kulturore të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar janë trajtuar përpara vendosjes për ekspozim, një pjesë e tyre janë trajtuar me metodat e teknologjisë së kohës së vitit 1981, dhe restaurimet e tanishme janë realizuar sipas metodave bashkëkohore. Laboratori i ri dhe përgatitja e specialistëve të muzeut, produkt i këtij partneriteti, do të përbëjnë njëkohësisht dhe një aset, i cili do t’i shërbejë jo vetëm nevojave të vazhdueshme të objekteve ekzistuese, por në përgjithësi të gjitha vlerave materiale që do të zbulohen në të ardhmen. Trajtimi i objekteve pranë tij do të rrisë numrin e objekteve të ekspozueshme, gamën e tyre, jo vetëm në Muzeun Historik Kombëtar, por edhe në muzetë e tjerë arkeologjik pjesë e parqeve e arkeologjike, duke rritur ndjeshëm numrin e tyre, dhe duke kontribuar në ilustrimin më të detajuar të etapave historike që ka kaluar vendi ynë. Pra, laboratori mund të bëhet një pikë referimi për të ndërmarrë iniciativa të reja, që do të asistojnë arkeologët dhe njerëzit që punojnë në fushën e trashëgimisë në të gjithë hapësirën shqiptare. Kjo qasje ndaj pasurisë sonë kulturore i bën muzetë më atraktive dhe për publikun e gjerë, çka përkthehet në rritje të ardhurash dhe në kthimin e turizmit në një ndër sektorët kryesorë për ekonominë shqiptare”.
Ndërsa, z. Ledion Lako, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave dhe Zhvillimit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, u shpreh se: “Është një nder për mua të diskutoj me ju mbi një projekt, të cilin e konsideroj si shumë të rëndësishëm për një sektor strategjik për vendin tonë, konservimin e pasurive tona kulturore. Historia e Shqipërisë duhet të jetë e lidhur ngushtë me kujtesën e saj historike, dhe kjo konsideratë duhet të theksohet edhe më shumë në vitin kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. Identifikimi ynë kombëtar nuk mund të bëjë pa identitetin tonë historik dhe kulturor, sepse pa të, shqiptarët mbeten jetimë, gjenden pa të kaluarën”.
“Përmes aktivitetit të planifikimit për fondet e vëna në dispozicion nga Bashkimi Evropian, ka pasur shumë hapa përpara në pritjen, infrastrukturën dhe strukturat e rimëkëmbjes kulturore të territorit, por ende ka shumë për të bërë. Projekte si ky që po prezantojmë sot janë të çmuara për ne dhe përfaqësojnë një hap fitoreje në një strategji për të rifilluar në të gjithë vendin tonë”, përfundoi z. Lako.
Pas përshëndetjes edhe nga Ambasadori i Italisë në Shqipëri, z.Alberto Cutillo, i cili foli rreth bashkëpunimit Itali-Shqipëri në fushën e kulturës, workshop-i vazhdoi me prezantimin e projektit HEFA në Shqipëri.

35889338_2001892813206815_2207876170991534080_n 35924533_2001893259873437_6737520535879548928_o 35882422_2001893113206785_226233171774013440_n 35756509_2001892953206801_8712113350575652864_o 35835937_2001892873206809_7335697716573372416_o

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!