“Shpirti Arbëresh në veshje”: ekspozitë e veçantë ku pasqyrohen shtatë shpërnguljet e shqiptarëve, sipas periudhave të caktuara, si edhe veshjet tradicionale të kësaj zone, ku akoma ruhen tradita, gjuha dhe identiteti kulturor i arbëreshëve.

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar çeli për publikun ekspozitën me titull “Shpirti Arbëresh në Veshje”. Veshjet e paraqitura përfshijnë historinë e Arbëreshëve të Italisë së Jugut duke përshkruar shpirtin e një populli që ka identitetin e vet kulturor.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij tha se: “Kjo ekspozitë pasqyron shpirtin arbëresh, i cili dëshmon përkatësinë e vet etnike. Kjo ekspozitë të nxit dhe të shtyn në gjurmime të tjera historike e etnografike mbi bashkësitë arbëreshe, origjinën e veshjes, modifikimet që kanë ndodhur etj.”.
“Katundet arbëreshe në Itali filluan të formohen në shek. XV dhe formimi i tyre u plotësua në shek. XVIII. Kolonitë arbëreshe mbëritën në Itali në valë të ndryshme duke sjellë në mërgim, bashkë me gjuhën amtare edhe kostumet e traditat kulturore në kohën e mërgimit. Këtë pasuri shpirtërore arbëreshët e kanë ruajtur gjithmonë me këmbëngulje deri në ditët e sotme. Arbëreshët bashkë me emrin e tyre të vjetër etnik që e morën nga mëmëdheu, ruajtën edhe kultin e Heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Këto grupe të popullsisë arbëreshe nuk u shkrinë dot me popullsinë vendase, por ruajtën dhe lartësuan me krenari identitetin etnik origjinal që ka ardhur përtej shekujve në forma të shumëllojshme, duke e shprehur në jetën e përditshme, në shprehjet artistike, traditat gojore dhe letrare”, përfundoi drejtori Koçi.
Ekspozita pasqyron shtatë shpërnguljet e shqiptarëve, sipas periudhave të caktuara, duke filluar me shpënguljen e parë (1416-1448) në krahinën e Katanxaros (Garafa, Karfici, Puhëriu, Shën Koli, Vina etj.); më pas vjen shpëngulja e dytë (1459-1462) në krahinën e Avelinos (Greçi e Picilia). Shpëngulja e tretë (1468-1506) lidhet me krahinën e Kozencës (Ejanina, Falkunara, Farneta, Ferma, Frasnita, Kastërnexhi, Maqi, Marri, Mbuzati, Pllatani, Shën Japku, Shën Mitri, Shën Sofia, Shën Vasili, Ungra etj.). Stendat e rradhës pasqyrojnë shpërnguljen e katërt (1532-1534) në kraninën e Palermos (Hora e Arbëreshëve, Sëndastina, Shën Pali etj.), si edhe shpërnguljen e pestë (1647-1664) në krahinën e Kampobasos (Këmarini, Munxhufuni, Posrtkanuni, Ruri etj.). Duhet theksuar fakti se shpënguljet e fundit të shqiptarëve, shpërnguja e gjashtë dhe e shtatë, zhvillohet pothuajse në pjesën më të madhe të katundeve të përmendura me lart.
Kostumet janë një “status simbol” i ambientit shoqëror, ato i bashkojnë dhe i barazojnë njerëzit me njeri-tjetrin. Kukullat, modele në miniaturë, dëshmojnë kulturën arbëreshe. Të skematizuara dhe të thjeshtësuara në përpunimin e tyre, ato i ofrojnë etnologut një fushë hulumtimi mbi veshjen e lashtë të arbëreshëve. Veshja e gruas ka paraqitur në historinë e popullit tonë një element të krenarisë gjatë momenteve më të errëta të historisë. Funksionet që bartin këto kostume janë të ndryshme dhe tregojnë rendin shoqëror, moshën, klasën, punën, zinë, përfaqësimin e besimit fetar si dhe faktin që një person është beqar apo i martuar. Kukullat me veshje arbëreshe sjellin një imazh të paqes dhe vllazërimit, të dy popujve, brigjet e të cilëve lagen nga i njëjti det.

40430015_2136934773035951_800177047472177152_o 40424445_2136936459702449_6399969340870885376_o 40421271_2136936386369123_4736130058719068160_o 40544425_2136936329702462_5626703295755059200_o 40414363_2136935696369192_2682658314206052352_n 40468005_2136935589702536_2624215392834289664_o 40358074_2136934863035942_4050577738392666112_o

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!