Muzeu Historik Kombëtar, ditën e enjte, datë 27 shtator, ora 17.00, rinis veprimtarinë “Një pasdite në muze!”

Muzeu Historik Kombëtar, ditën e enjte, datë 27 shtator, ora 17.00, rinis veprimtarinë “Një pasdite në muze!” me temë: “Veprimtaria e Ded Gjo Lulit në kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës në vitin 1911”. Këto takime periodike bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Gjithashtu, veprimtaria “Një pasdite në muze!” ka për qëllim ngjizjen e një debati profesional në disiplina të ndryshme.

Për të referuar për këtë temë do të jenë të pranishëm Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe Dr. Paulin Marku, Instituti i Historisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Ded Gjo Luli u dallua në luftën për çlirimin kombëtar dhe për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut. Aftësitë e tij si organizator, si prijës luftarak dhe si udhëheqës popullor, u shfaqën sidomos gjatë Kryengritjs kundërsomane të vitit 1911. Kryengritja e vitit 1911 shënoi një hap cilësor përpara në organizimin e lëvizjes kombëtare dhe ngriti në një shkallë më të lartë ndërgjegjen politike të shqiptarëve. Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës, si nga ana organizative, ashtu edhe nga ajo ideore, shënoi një hap të madh përpara në krahasim me kryengritjen e vitit 1910.

Veprimtaria do të zhvillohet ditën e enjte, ora 17.00, pranë bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar.

Ju mirëpresim!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!