Aktiviteti me temë “Tradita -Kthim në identitet”

Sot, Muzeu Historik Kombëtar dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë zhvilluan një aktivitet me rastin e festave të Pavarësisë dhe Çlirimit të Shqipërisë, 28-29 Nëntorit, dhe në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Aktiviteti me temë “Tradita -Kthim në identitet” manifestoi gjithë karakteristikat e trashëgimisë sonë kulturore që na dallojnë në mesin e shumë popujve të tjerë. Në këtë 106-vjetor të Pavarësisë të Shqipërisë, nxënësit zgjodhën të kthehen në identitet dhe t’i rikujtojnë njëri-tjetrit që ka kaq shumë gjëra, për të cilat mund të mburren, e njëkohësisht t’ia përcjellin këtë pasuri brezave pasardhës.
Në fillim aktiviteti u hap me një dokumentar të punuar nga vetë nxënësit ku pasqyrohej jeta dhe vepra madhore e Heroit tonë Kombëtar. Me pas aktiviteti vazhdoi me pjesë artistike të improvizuara nga vetë nxënësit ku u interpretuan valle dhe këngë të muzikës folklorike nga të gjitha trevat e vendit tonë, duke pasqyruar në këtë mënyrë pasurinë e jashtëzakonshme të trashëgimisë sonë kulturore. Gjithashtu, nxënësit kishin përgatitur edhe një ekspozitë të titulluar “Shqiptarët”, ku kishin pasqyruar traditat, zakonet, mikëpritjen, bukurinë, besen e shqiptarit në forma, ngjyra dhe hije.

Per me shume

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!