Muzeu Historik Kombëtar, më datë 25 janar 2019, ora 17.00, organizon veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Roli i Isa Boletinit në Pavarësinë e Shqipërisë”.

Këto takime periodike bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Gjithashtu, veprimtaria “Një pasdite nëmuze” ka për qëllim ngjizjen e një debati profesional në disiplina të ndryshme.
Për të referuar për këtë temë do të jenë të pranishëm Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut HistorikKombëtar dhe MSc. Indrit Jonuzi, mësues i gjimnazit “Isa Boletini”, Vorë.
Isa Boletini ishte luftëtar e udhëheqës ushtarak popullor, organizator e drejtues i lëvizjes përçlirimin kombëtar, Hero i Popullit. Ai ndihmoi në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës. Isa Boletini u dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore kundër osmane të viteve 1908-1912. Udhëhoqi disa kryengritje kundërosmane në Drenicë-Mitrovicë, Shtime-Carralevë, Podujevë-Prishtinë etj. Në ditët e shpalljes së Pavarësisë u vu në krye të përfaqësuesve të Kosovës, si dhe u ndodh në krah të Ismail Qemalit në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Në vitin 1913 si anëtar i delegacionit shqiptar së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku kundërshtoi me forcë vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Duke kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet si udhëheqës popullor.
Muzeu Historik Kombëtar organizon këtë takim shkencor-social me një natyrë periodike, për të përkujtuar figura të shquara të historisë dhe të letërsisë shqiptare, ballkanike dhe europiane që kanë shkruar dhe kanë kontribuar për evidentimin e vlerave kulturore. Në këtë veprimtari do jenë të pranishëm dhe të ftuar, akademikë, studiues e miq, studentë dhe dashamirës të fushave të ndryshme.
Veprimtaria do të zhvillohet ditën e premte, ora 17.00, pranë sallës së bibliotekës të Muzeut Historik Kombëtar.

Ju mirëpresim!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!