“TRASHËGIMIA SHPIRTËRORE PËRMES INSTRUMENTEVE MUZIKORE”

Në kuadër të 21 Qershorit, “Ditës Botërore të Muzikës”, Ministria e Kulturës ka shpallur muajin qershor si “Muajin e Muzikës”, duke organizuar një sërë aktivitetesh gjatë gjithë këtij muaji. Në mbështetje të projekteve dedikuar kësaj ngjarjeje, Muzeu Historik Kombëtar çel për publikun ekspozitën me titull “Trashëgimia shpirtërore përmes instrumenteve muzikore”.
Ekspozita është e përbërë me objekte origjinale nga fondi i Muzeut Historik Kombëtar. Midis tyre ndodhen objekte të personaliteteve shqiptare, si: dorëshkrimi i Hilë Mosit, oboe e Fan Nolit, violina të Heronjve të Popullit, Qemal Stafa dhe Ylbere Bylykbashi etj.

Ndër të tjerash, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh për këtë ekspozitë se, “Midis tipologjive kryesore të trashëgimisë shpirtërore shqiptare përfshihen këngët dhe vallet, meloditë dhe ritet e ndryshme, proza dhe poezia popullore, shfaqjet dhe lojërat popullore, si dhe intrumentet e nevojshme për shoqërimin e tyre. Lidhur me instrumentet popullore duhet thënë se ka lloje të ndryshme që përfshihen në instrumentet idiofone, membranofone dhe kordeofone. Pjesa më e madhe e objekteve të përfshira në ekspozitë janë veglat kordeofone, ku hyjnë ato vegla të cilat nxjerrin tinguj nga vibracionet e kordave. Ndër to mund të përmendim çiftelitë, lahutat etj. Në eskpozitën e çelur, publiku do të gjejë vegla frymore (membranofone) si fyelli, cylja, zymare etj. Nuk mund të mungojë gjinia e veglave idiofone, ku hyjnë mjetet kumbuese që nxjerin tinguj nga vibracionet e trupit të tyre të ngurtë nëpërmjet tundjes”.

Ndërsa akademiku dhe muzikologu i njohur Vasil Tole theksoi se: “Ndjej një kënaqësi të veçantë që marr pjesë në këtë ekspozitë të një rëndësie të veçantë. Ju ftoj të gjithëve që ta konsideroni këtë event si një pjesë të pasurisë humane të popullit tonë. Të huajt, gjithnjë e kanë pasqyruar shqiptarin tradicional të veshur me kostum popullor dhe me një armë në brez, por në të vërtëtë përveç armës, traditë për shqiptarin ka qenë edhe vegla muzikore. Instrumenti kishte një peshë të madhe në traditën popullore. Mjeshtëria e veglave tradicionale po shkon drejt zhdukjes, ndaj kjo ekspozitë duhet të na ndërgjegjësojë së tepërmi në mbajtjen gjallë të kësaj tradite popullore”.

Ekspozita u çel me qëllimin e ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë shpirtërore të krijuar nga shqiptarët ndër shekuj. Këto vlera, unike dhe të shumëllojshme për nga mënyra e krijimit, përçimit dhe realizimit të tyre, përbëjnë një nga shtyllat e identitetit kulturor të shqiptarëve.

65498712_2649918118404278_4707149157003952128_o 65317939_2649916558404434_8792877139675316224_o 65867054_2649916481737775_4325388759810965504_o 64656401_2649916328404457_6833206012028125184_n 65224410_2649916401737783_1370797623505584128_n 65195584_2649916741737749_1977649822093541376_o 65292754_2649916898404400_5238601954875146240_o 65317067_2649917621737661_2483996659218907136_o 65461651_2649917845070972_1264817432871043072_o 65533865_2649916645071092_521804248330010624_o

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!