“Trëndafili i bardhë – Geraldinë”

Muzeu Historik Kombëtar ju fton më datë 02 Tetor 2019, ora 19.00, në ceremoninë e hapjes së ekspozitës “Trëndafili i bardhë – Geraldinë”, e cila paraqet jetën dhe veprimtarinë sociale të Mbretëreshës Geraldinë dhe organizohet nga Muzeu Kombëtar i Hungarisë dhe Muzeu Historik Kombëtar me mbështetjen e Ambasadës së Hungarisë në Tiranë.

Titulli i ekspozitës “Trëndafili i Bardhë” na kujton një episod nga jeta e Geraldinës në moshë të re. Në fillim të viteve 1920, qyteti piktoresk hungarez i Zebegény e magjepste teton e dashur të Geraldinës, Franciska Apponyi (Fanny) në një masë aq të madhe që jo vetëm që u vendos aty, por edhe bleu rreth një dyzinë të shtëpive të atij qyteti. Ajo i përdori këto shtëpi si kampe për të pritur fëmijë gjatë pushimeve verore. Vitet në vazhdim sollën punë serioze edukative në këto shtëpi të Lulediellit (të quajtura kështu prej lules së preferuar të Konteshës) që fituan respekt dhe dashuri nga vendasit. Fanny themeloi virtualisht një republikë për fëmijë, që së shpejti i përfshiu të afërmit dhe miqtë e saj. Kjo solli themelimin Virág Egylet Zebegény (V E Z, Shoqata e Luleve Zebegény), ku Geraldina e re ishte anëtare. Çdo qytetar i “republikës” mori emrin e një luleje ose të një kafshe. Konteshë Fanny, mori emrin “Luledielli” si presidente e republikës së fëmijëve, ndërsa Geraldina, me pseudonimin e saj të njohur Konteshë Gerry (Zseri në Hungarisht) u quajt “Trëndafili i Bardhë”. Ekspozita e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë tregon jetën dhe personalitetin e Geraldinë Apponyi, bashkëshortes së Mbretit Zogu I të Shqipërisë, me titull “Trëndafili i Bardhë – Geraldine”, i referohet kësaj tradite të hijshme. Ekspozita është pjesë e Vitit të Kulturës Shqiptaro-Hungareze 2019 dhe organizohet nga Muzeu Kombëtar i Hungarisë dhe Muzeu Historik Kombëtar, si dhe mbështetet nga Ministria Hungareze e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë dhe disa institucione kulturore hungareze.

Ju mirëpresim më datë 02 Tetor 2019, ora 19.00, në ambientet e Hollit Kryesor në Muzeun Historik Kombëtar!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!