Në kuadër të nismës që ka ndërmarrë Ministria e Kulturës “Tetori i librit”, Muzeu Historik Kombëtar organizoi një takimin me studiuesin Jaho Brahaj ku pati diskutime dhe lexime nga vepra e Shtjefën Gjeçovit.

 Shtjefën Gjeçovi u lind në Janjevë (Kosovë) më 12 korrik 1874. Në vitin 1888 u nis për të ndjekur studimet në Kroaci dhe pas përfundimit të studimeve në vitin 1896 u dorëzua prift. Ai kodifikoi të drejtën zakonore shqiptare, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore si dhe vepra me karakter fetar në gjuhën shqipe. U kujdes edhe për trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar.

Shpëtoi nga grabitja kambanën e kishës së Shën Andreas në Kështjellën e Krujës. Në Muzeun Historik Kombëtar është ekspozuar pushka e Shtjefën Gjeçovit e dekoruar me vija dhe lule të gdhendura. Atë Gjeçovin e vranë serbët më 14 tetor të vitit 1929 në katundin Zym të Prizrenit ku shërbente si famulltar.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar tha në fjalën e mbajtur se: “Faik Konica, i cili e ka takuar Atë Gjeçovin në vitin 1913 shkruan: “Asikohe Atë Gjeçovi ishte prift në katundin e Gomsiqes. Këtu e shkonte jetën, në mes të lutjeve dhe mësimeve, një nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria. Famullia shkollë dhe vend këshillash të mira, u jepte fëmijëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet e njerëzve në nevojë. Kohën që i tepronte, Atë Gjeçovi ia kushtonte studimit. Merrej me institutet e vjetra të Shqipërisë, nga të cilat një që arrin gjer në ditët tona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askush nuk mund t’i afrohej Atë Gjeçovit në diturinë e këtij kanuni. Na tregoi një dorëshkrim nja dy mijë faqesh, studim i palodhur e i hollë ku kishte mbledhur dhe renditur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtej Kohës së Mesme”.

Studiuesi Jaho Brahaj u shpreh se: “Atë Shtjefën Gjeçovi la gjurmë ne fushën e arsimit, arkeologjisë, historisë, etnografisë, sistemimit e kodifikimit të të drejtës zakonore shqiptare, mbledhjes së folklorit, në fushën e krijmtarisë letrare si: prozës, poezisë, dramaturgjisë si dhe përkthimit. Si edhe nuk duhet lënë pa përmendur dhe kontributin e madh në fushën e arkeologjisë”.

73059733_2913333772062710_4503971446984278016_o 74449606_2913333675396053_8200944205774716928_o 75450177_2913333555396065_8989844013452361728_o 74455028_2913333402062747_5441786506777722880_o 73460643_2913333332062754_3739882209381711872_o 75603418_2913333262062761_1760682909116661760_o 75250871_2913333165396104_7763476880161767424_o

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!