Promovimi i librit “Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve (1912)”

 Muzeu Historik Kombëtar, si institucioni më i madh i memories kombëtare në vend, organizoi promovimin e librit “Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve (1912) të studiuesit Paulin Marku. Nuk është rastësore që Dr. Paulin Marku zgjodhi Muzeun Historik Kombëtar për të bërë promovimin e librit të tij, sepse ai bën pjesë në rrethin e miqve të Muzeut Historik Kombëtar. Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta në bazë të memorandumit të nënshkruar nga Muzeu Historik Kombëtar dhe Akademia e Studimeve Albanologjike.

Të ftuarit e nderit në këtë aktivitet ishin: Ambasadori i Italisë në Tiranë, Z. Alberto Cutillo, Akademiku Beqir Meta, Drejtor i Institutit të Historisë dhe Dr. Paulin Marku, autori i librit.

Dokumentet diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve Dr. Paulin Marku i ka hulumtuar në Arkivin Historik Diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. Në vëllimin e parë (janar-qershor 1912) janë përzgjedhur, përkthyer dhe përgatitur për botim, telegrame, relacione dhe informacione të ndryshme të diplomatëve italianë, në të cilat evidentohet qartë këndvështrimi dhe roli që pati Italia në çështjen shqiptare gjatë vitit 1912. Këto dokumente hedhin dritë mbi një nga periudhat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, atë të pragut të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Z. Cutillo theksoi se ishte tejet i nderuar për ftesën në këtë panel. “Ky është një moment historik për Shqipërinë, ku italia luajti një rol të rëndësishëm. Po afron koha që unë të largohem nga Tirana, dhe më bëhet qejfi që do kthehem në Romë me një kujtim të tillë historik. Ju falenderoj të gjithëve edhe i uroj suksese të mëtejshme autorit”, përfundoi ambasadori Alberto Cutillo.

Z. Beqir Meta tha se: “Pa ndihmën e arkivit në Itali nuk do të mundeshim kurrë të zotëronim këtë libër unik. Do doja të falenderoja përzemërsisht autorin. Këto burime kanë interes të madh për historinë e vendit tonë. Paulini vendos një gur bazik në këtë periudhë historike, por në një të ardhme të shpejtë do ketë gurë të tjerë të rradhës”.

Autori i librit, Dr. Paulin Marku, falenderoi përzemërsisht gjithë të pranishmit në këtë aktivitet. “Kjo e sotmja, është një ditë shumë e rëndësishme për mua. Kemi patur mungesë në dokumentacionin italian të kësaj periudhe. Falë mbeshtetjes së Departamentit, mu propozua të merresha me nxjerrjen në dritë të këtij dokumentacioni. Ka patur veshtirësi në hulumtim, por si për çdo historian, kjo transformohet në kenaqësi”.

Z. Andrea Llukani, duke referuar fjalimin e drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçit (në mungesë të tij) theksoi se: “Populli shqiptar ka një histori të lashtë dhe me karakteristika të veçanta. Një vend të rëndësishëm zë Lëvizja Kombëtare Shqiptare. Ajo dha një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin dhe afirmimin e kombit shqiptar që u finalizua në vitin 1912 me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Për këtë periudhë, dokumentet e huaja kanë peshë të pazëvendësueshme dhe na japin mundësinë të shohim në brendësi politikën e një shteti dhe të hulumtojmë në mënyrë të detajuar”.

79811564_3036744189721667_7370219830474964992_o 79970970_3036743973055022_120267377869848576_o 80006503_3036743849721701_342347488067321856_o 80036644_3036743743055045_5449973315739320320_o 80418013_3036743616388391_7365135173312053248_o 80120892_3036743473055072_7122464195328606208_o 79772303_3036743336388419_7920538993748344832_o

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!