Muzeu Historik Kombëtar kremtoi 40-vjetorin e inaugurimit të tij

Në datat 28 dhe 29 Tetor Muzeu Historik Kombëtar kremtoi 40-vjetorin e inaugurimit të tij. Ky vit jubilar u manifestua përmes Konferencës Ndërkombëtare Muzeologjike “Muzetë përtërijnë të ardhmen” dhe Ekspozitës “Kur ndërtohej Muzeu Historik Kombëtar”.

Konferenca Ndërkombëtare Muzeologjike “Muzetë Përtërijnë të Ardhmen”, pati si qëllim përkujtimin e 40-vjetorit të inaugurimit të Muzeu Historik Kombëtar duke vënë theksin dhe rëndësinë në problematikat dhe propozimet e ndryshme që lidhen me promovimin e rrjetit kombëtar të muzeve, shkëmbimin e përvojës profesionale në menaxhimin, restaurimin, ekspozimin e objekteve muzeale si dhe nxitja e debatit konstruktiv mbi historinë dhe muzeologjinë. Kjo konferencë dy ditore e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar synoi vazhdimësinë dhe thellimin e bashkëpunimeve, si dhe shkëmbimin e ndërsjelltë kulturor dhe historik mes historianëve, muzeologëve dhe studiuesve të trashëgimisë kulturore me qëllim promovimin e historisë, muzeologjisë dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.

Ekspozita e veçantë me titull “Kur ndërtohej Muzeu Historik Kombëtar” pasqyroi për publikun e gjerë grupin e punës, të cilët kanë punuar dhe kontribuar për projektin e Muzeut Historik Kombëtar i cili përbëhej nga arkitektët Sokrat Mosko, Nina Shehu, Enver Faja, Grigor Konduri, Mauricio Bego dhe Petraq Kolevica. Ky grup hartoi projekt-zbatimin e godinës dhe ndihmoi ndërmarrjen zbatuese për problemet që dilnin gjatë ndërtimit të muzeut. Salla e lashtësisë u projektua nga ark. Nina Shehu, salla e mesjetës nga ark. Enver Faja, sallën e Rilindjes dhe Pavarësisë e projektoi ark. Grigor Konduri, sallën e luftës nacionalçlirimtare e projektoi ark. Mauricio Bego dhe sallën e socializmit ark. Petraq Kolevica. Secila nga sallat e ekspozimit ka arkitekturë të veçantë, duke shmangur monotoninë dhe përsëritjen. Çdo sallë përcjell mesazhin dhe atmosferën e periudhës së cilës i përket. Në konceptimin e përgjithshëm hapësinor të brendësive të muzeut është pasur parasysh që sallat të jenë të lidhura organikisht me njera-tjetrën, në mënyrë të rrjedhshme pa ndarje të theksuara për të dhënë kudo idenë e një hapësire të njësishme, ashtu siç është historia e popullit tonë.

Në ceremoninë jubilare të Konferencës Ndërkombëtare Muzeuologjike “Muzetë Përtërijnë të Ardhmen”, në kuadër të 40-vjetorit të inagurimit të Muzeut Historik Kombëtar, ishte një panel i zgjedhur i përbërë nga: Znj.Elva Margariti, Ministre e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, Sekretari Shtetit i Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.Valmir Aziri, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, z.Skënder Gjinushi si dhe shumë studies, historianë, muzeologë dhe dashamirës të muzeologjisë, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Përgjatë ceremonisë së veprimtarisë jubilare në 40-vjetorin e inaugurimit të Muzeut Historik Kombëtar, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, prezantoi:
👉Shoqatën “Miqtë e Muzeut Historik Kombëtar”, e cila ka si objekt veprimtarie, Mbështetjen e Programeve kryesore të zhvillimit të Muzeut Historik Kombëtar, nëpërmjet kontributeve, sponsorizimeve, dhe trashëgimive të lëna nga anëtarët e saj, Fondacioni Miqtë e Muzeut siguron një fond vjetor për të pasuruar koleksionet e muzeut, për publikime, aktivitete të ndryshme, etj.
👉Shpërndarja e Diplomave të Mirënjohjes, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për ndihmesën dhe kontributin e dhënë në konceptimin, përmbajtjen, si edhe në ecurinë e Muzeut Historik Kombëtar gjatë 40 viteve, si institucioni më i madh muzeor në vend. Këto diploma mirënjohjeje shkuan për: Selim Islamin, Moikom Zeqon, Luan Malltezin, Nina Shehun, Fisnik Pulajn, Enver Kushin, Tatjana Alimeman, Robert Koten, Grigor Kondurin, Sotirulla Hoxhan, Fatmir Haxhiun, Kleanthi Deden, të cilët përshendetën të emocionuar si dhe falenderuan organizatorët për mirënjohjen dhe respektin e shfaqur karshi kontributit të tyre gjatë 40 viteve.
👉Shfaqja e dokumentarit me titull “Me ndërtuesit e Muzeut Historik Kombëtar”, i cili pasqyroi për të pranishmit zanafillën e projektimit dhe realizimin e interierit dhe të përmbajtjes së “Muzeut Historik Kombëtar”, ku kanë punuar dhe kontribuar grupe pune për çdo periudhë historike të përbërë nga: historianë, arkitektë, piktorë, fotografë, maketistë etj.

Në ditën e parë të Konferencës Ndërkombëtare Muzeuologjike “Muzetë përtërijnë të ardhmen” referuan:
👉Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, foli për “Sfidat e muzeologjisë shqiptare dhe prespektiva për të ardhmen”.
👉Dr. Sadik Krasniqi, Muzeu Kombëtar i Kosovës referoi : “Fushëveprimtaria e muzeologjisë në Kosovë sipas metodologjisë shkencore dhe profesionale”
👉Prof. Ass. Dr. Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë referoi “Objektet muzeale në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit”
👉Dr. Besnik Rraci, Muzeu Kombëtar i Kosovës referoi temën “Vështrim muzeor për muzeun „Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”
👉Dr. Asllan Zemani, Muzeu i Forcave të Armatosura, Tiranë referoi temën “Muzeu i Forcave të Armatosura përballë sfidave të kohës”
👉Fjoralba Prifti, Drejtor i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar Korçë referoi “Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar – Politika kulturore e muzeologjike në funksion të shoqërisë sonë”
👉Prof. Ass. Dr. Arsim Sinani, Drejtor i Institutit për Studime Sociale, Universiteti i Prishtinës që referoi temën “Muzeu lëvizës i Kosovës, një trajektore e rëndësishme e kulturës shqiptare”.
👉Alban Ramohitaj, Drejtor i Qendrës Muzeore Durrës, referoi “Muzeu Kombëtar Arkeologjik Durrës”.
👉PhD (C) Etleva Demollari, Drejtor i Muzeut Kombëtar të Përgjimeve me temë, “Shtëpia me gjethe” “Ndryshimet në Muzeun Historik Kombëtar pas vitit 1991”
👉Tomor Kastrati, nga Muzeu Kombëtar i Kosovës referoi “Koleksioni neolitik me tipare adriatikase në Muzeun Kombëtar të Kosovës.
👉Ilirjan Gjika, Drejtor i Muzeut Historik, Fier referoi “Muzeu Historik Fier, gjendja reale dhe prespektivat”
👉Prof. Dr. Lida Miraj, referoi temën : “Kultura e memories dhe kultura e identitetit. Ruajtja dhe mbrojtja e peizazhit historik dhe peizazhit urban të qytetit”.

Në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare Muzeuologjike “Muzetë përtërijnë të ardhmen” referuan:
👉PhD (C) Besarta Reçica, Muzeu Kombëtar i Kosovës – “Gjendja e dikurshme dhe proçeset e zhvillimit në Muzeun Kombëtar të Kosovës”
👉Ornela Dyrmishi, Drejtor i Parkut Kombëtar të Arkeologjisë Apoloni – “Muzetë përtërijnë të ardhmen nëpërmjet teknologjisë”
👉Prof. Ass. Dr. Frederik Stamati – “Konservimi i objekteve në Muzeun Historik Kombëtar”
👉Elsjona Kote, Muzeu Historik Kombëtar – “Roli i Muzeut Historik Kombëtar në komunitet”
👉PhD (C) Spiro Nika, Muzeu Historik Kombëtar – “Domosdoshmëria e pasurimit dhe rinovimit të Pavijonit të Lashtësisë në Muzeun Historik Kombëtar”
👉Erodita Qorkadiu Haxhiu, Muzeu i Pejës, Kosovë – “Muzeu etnografik në Kosovë i laboruar, muzeu i Pejës”
👉Redis Marku, Muzeu Historik Kombëtar – “Muzetë dhe teknologjia”
👉Nina Shehu – “Mbresa dhe Kujtime gjatë punës 5-vjeçare në projektimin dhe zbatimin e godinës së MHK-së”
👉Rezarta Loxha Vitaku & Blerina Bejtullahu, Muzeu Kombëtar i Kosovës “Muzetë në epokën digjitale”
👉Dr. Skënder Bushi Muzeu Historik Kombëtar” Muzeu Historik Kombëtar përtej rolit koleksionues dhe ekspozues”
👉Erilda Selaj, Muzeu Studio Kadare, Tiranë “Impakti i pandemisë Covid-19 në muzetë dhe hapësirat kulturore në Shqipëri”
👉Brunilda Braho, Muzeu Historik Kombëtar “Risi bashkëkohore në ekspozitën e Muzeut Historik Kombëtar”
👉Anila Gjyrezi, Muzeu Historik Shkodër “Muzeu Historik Shkodër Koleksioni etnografik dhe promovimi i tij”
👉Andrea Llukani, Muzeu Historik Kombëtar. “Mozaiku “Shqipëria” në ballinën e Muzeut Historik Kombëtar përballë kontestimeve të kohës”
👉PhD(C) Najada Velçani dhe Sonjela Babaliu, Muzeu Historik Kombëtar – “Roli i Sektorit të Programeve Edukative në Muzeun Historik Kombëtar”.

Përgjatë diskutimit në konferencë gjatë këtyre dy ditëve u vu theksi mbi rëndësinë dhe rolin e koleksioneve, konceptit muzeal dhe rritjen e mundësisë për bashkëpunim dhe pasurimin e fondeve muzeore. U trajtuan çështjet si ajo e muzeut lëvizës, nevojës për të pasur politika e programe që të sjellin të rinjtë sa më afër muzeve apo siteve arkeologjike dhe problematikat që shqetësojnë muzetë e rretheve. U theksua se një vëmendje më e madhe duhet treguar për muzetë vendor ky duhet të jetë një nga prioritetet në fushën e muzeologjisë në Shqipëri, për ti sjellë edhe këto institucione në standartin dhe nivelin e muzeve kombëtarë. Gjithashtu, u fol edhe për epokën digjitale dhe nevojën e implementimit të teknologjisë digjitale në muze, për rolin dhe rëndësinë e konferencave, seminareve në edukim gjithashtu edhe për rëndësinë në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e koleksioneve të trashëgimisë kulturore.

Kumtesat e kësaj konference do të gjenden të përmbledhura në një botim të vetëm për të gjithë lexuesit.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!