Muzeu Historik Kombëtar

“Muzeu Historik Kombëtar” synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. 

Historia

28 Tetor 1981

Inagurimi i Muzeut Historik Kombëtar

Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit. Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës drejtohej nga personalitete të shquara si, Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Burhan Çiraku, Kleanthi Dedi, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksander Meksi etj.

Muzeu Historik Kombëtar është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit.

Muzetë historikë kombëtarë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas dhe me sistemin kombëtar të arsimimit të tij. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit për kombin si dhe për përcjelljen e këtij vetimazhi tek vizitorët dhe në botën e jashtme. Por muzetë dallojnë nga ajo çka jep historia e shkruar, pasi për një muze gjuha e të shprehurit janë objektet muzeore të ekspozuara, shoqëruar me të dhënat për to.

Hapsira

Godina e Muzeut Historik Kombëtar zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2 dhe ka sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2 dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81.000 m3. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Pavjonet:

-Pavijoni i Lashtësisë -Pavijoni i Mesjetës -Pavijoni i Rilindjes Kombëtare -Pavijoni i Pavarësisë -Pavijoni i Ikonave -Pavijoni i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare -Pavijoni i Terrorit Komunist -Pavijoni i Nënë Terezës

Veprat

Muzeu është konceptuar i tillë, që prezantimi të bëhet nëpërmjet tetë pavioneve. Këto ditë në muze po vijon edhe ekspozita “Leonardo -Opera Omnia”. Vizitorë të shumtë kanë ardhur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar dhe kanë parë 17 riprodhime vepra pikture të Leonardo Da Vinci të një cilësie të lartë dhe në përmasa origjinale të ekspozuara në hollin kryesor. Kuratori i ekspozitës, Antonio Paolucci, njihet si një prej ekspertëve më të shquar të artit ndërkombëtar. Kjo ekspozitë, së bashku me atë të krijuar vitin e kaluar mbi Caravaggio-n dhe aktivitetin e planifikuar për vitin e ardhshëm mbi Raffaello-n, rrjedh nga një reflektim mbi temën e përdorimit të kryeveprave të mjeshtërve të mëdhenj.

error: Content is protected !!