Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike, organizuan leksionin e hapur me temë “100 vjet marrëdhënie shqiptaro-amerikane (1922-2022)”

I ftuar nderi për të referuar rreth historikut të këtyre marrëdhënieve dhe lidhjeve të ngushta mes dy kombeve tona ishte prof. dr. Hamit Kaba, studiues në Akademinë e Studimeve Albanologjike.Të pranishëm në këtë veprimtari ishin ambasadorja e ShBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, si dhe diplomatë dhe studiues të historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, vlerësoi rëndësinë e kësaj veprimtarie dhe u ndal gjithashtu në punën dhe kontributin shkencor ndër vite të dr. Hamit Kabës. Duke e cilësuar atë si një nga specialistët më të mirë për studimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ai përmendi edhe disa nga librat e prof. Kabës, si: “UNRRA në Shqipëri (1944-199)”, “Shqipëria në rrjedhën e Luftës së Ftohtë”, “Shqipëria dhe të mëdhenjtë” dhe ‘”Nga lufta në paqe, Shqipëria dhe ShBA1939-1946″.Gjatë leksionit që mbajti para auditorit, prof. dr Hamit Kaba ndër të tjera pohoi se, ndonëse zyrtarisht marrëdhëniet shqiptaro-amerikane përfshijnë një periudhë kohore 100-vjeçare, në të vërtetë kontaktet e para janë edhe më të hershme. Ai u ndal në periodizimin e këtyre marrëdhëniet në katër faza të ndryshme historike: periudha e parë ishte ajo e viteve 1922-1939, periudha e dytë në vitet 1939-1946, periudha e tretë në vitet 1946-1990 dhe periudha e fundit, nga viti 1991 e deri në ditët e sotme. Duke analizuar secilën periudhë me hollësi, lektori u ndal sidomos në disa ngjarje historike, siç ishte, për shembull, pushtimi i Shqipërisë në vitin 1939 nga ana e Italisë fashiste, ku ShBA-të ishin ndër të paktat vende që jo vetëm e dënuan pushtimin, por tërhoqën edhe misionin e tyre diplomatik nga Shqipëria. Po ashtu, kujtoi edhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, ku iniciativën e morën ShBA-të, si dhe përkrahjen dhe mbështetjen ndaj kombit shqiptar dhe Shqipërisë pas rënies së komunizmit dhe kontributin për mbarëvajtjen e proceseve demokratike.Në fund të leksionit të hapur, të pranishmit patën mundësi të parashtronin pyetjet e tyre në lidhje me temën e trajtuar dhe përmes bashkëbisedimit të tyre me lektorin, e bënë edhe më interesante këtë veprimtari përkujtimore dhe shkencore.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *