Në emër të Drejtoreshës së Muzeut Historik Kombëtar, Znj. Entela Çipa, përshëndeti të pranishmit Znj. Elsjona Kote, e cila në fjalën e saj ndër të tjera tha: “Që nga dita e parë e hapjes së tij, ky muze ka shërbyer si dritare për të kaluarën tonë, duke na lejuar të udhëtojmë përmes kohës dhe të mësojmë mbi rrugëtimin e popullit tonë. Kujtimet, artefaktet dhe tregimet që strehojmë këtu janë pasqyrë e ndritshme e identitetit tonë dhe trashëgimisë sonë kulturore. Në këtë 42-vjetor, kam kënaqësinë të njoftoj se Muzeu Historik Kombëtar do të nenshtrohet një procesi të rëndësishëm restaurimi të godinës dhe njëkohësisht, një rivlerësim dhe risjellje të linjës së re muzeale. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të pasuruar edhe më tej përvojën e vizitorëve dhe për të siguruar që historia jonë të përcillet me dinjitet dhe inovacion. Ndërsa shënojmë këtë 42-vjetor, le të kujtojmë se përgjegjësia jonë është e madhe. Duhet të vazhdojmë të ruajmë, kultivojmë dhe ndajmë pasuritë tona historike me të gjithë ata që vijnë këtu për të mësuar dhe për të ndjerë lidhjen me të kaluarën. Restaurimi, rikonstruksioni dhe riformulimi i linjës muzeore të Muzeut Historik Kombëtar është i domosdoshëm, sepse nga pikëpamja arkitetkurore muzeu është një hapësirë gjigande e pashfrytëzuar në mënyrë optimale. Gjithashtu, brenda muzeut ka koleksione shumë interesante, sidomos koleksioni arkeologjik, etnografik, ikonografik dhe artefakte të rralla e me shumë vlerë, por të treguara dhe të ekspozuara jo në mënyrën e duhur. Linja muzeale, e Muzeut Historik Kombëtar duhet të shfaqet si një muze i qytetërimit të vendit. Ai muze duhet ta ruajë karakterin historik, por duhet të jetë muze i historisë së qytetërimit dhe i jetesës së njerëzve, që kanë jetuar ndër shekuj në këtë truall.Linja funksionale me aktivitete sociale, bashkëkohore, ekonomike që nga libraria, salla për projeksione filmi, salla për koncerte, ekspozita, do të sjelli një rifunksionalizim të të gjithë hapësirës ekzistuese të muzeut”. “Ndërtesa e muzeut nga jashtë do të ngelet në identitetin e vet. Hapësira e taracës së muzeut do të kthehet në një hapësirë të përdorshme dhe publike. Ndërkohë që interieri i Muzeut Historik Kombëtar mbetet në identitetin e vet hapësira e brendshme ndryshon krejtësisht. Së shpejti së bashku me Ministren e Kulturës do të bëjmë një prezantim dhe diskutim të hapur të linjës së re muzeale dhe gjithë projektit të ri të rikonstruksionit dhe rikonceptimit të Muzeut Historik Kombëtar”, përfundoi ajo.Në vijim Andrea Llukani trajtoi kumtesën: “Përmbajtja e Muzeut Historik Kombëtar”; ndërsa Spiro Nika mbajti kumtesën: “Mozaiku Shqipëria në ballinën e Muzeut Historik Kombëtar”. Të pranishëm në aktivitet qenë arkitektja Nina Shehu, prof. dr. Lida Miraj, prof. ass. dr. Frederik Stamati, Agron Islami etj.
