Në kuadër të 9 Majit, “Ditës së Evropës”, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me gjimnazin “Sami Frashëri” Tiranë, organizuan aktivitetn mbi vlerat, parimet dhe standartet e Bashkimit Evropian. Evropa për popullin shqiptar, është një prioritet që ka arritur të gjejë tashmë konsensus nga të gjitha forcat politike, sepse ata të ardhmen dhe zhvillimin e tyre e shohin si pjesë e familjes së madhe evropiane. Në fjalën e tij përshëndetëse, Dr. Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Historik kombëtar, midis të tjerash tha: “Megjithëse Shqipëria është pjesë e Evropës, është pjesë e qytetërimit të lashtë evropian, ne na mungon ana administrative për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Përmes artifakteve të ekspozuar në pavijonet e muzet prezantohet ideja e Evropës. Sot jemi evropianë sepse bartim të njëjtat vlera kulturore duke filluar që nga antikiteti, apo vlerat që kemi si diversitetin fetar, i cili bën të munduar që në këto territore të kemi harmoni fetare. Ne jemi evropianë sepse kemi ngritur ëndrrën tonë evropiane mbi një hapësirë më të madhe, që herët me rilindasit tanë, të cilët kanë konceptuar idenë e evropës.” Gjimnazistët kishin përgatitur një aktivitet të pasur në disa gjini, si në letërsi ashtu edhe në art. Në art ishin këngët, vallet, kërcime dhe muzika instrumentale. Ndërsa në letërsi ishin esetë, prezantimet historike në PowerPoint dhe debatet.





