Në kuadër të 144-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Muzeu Historik Kombëtar organizoi sot në ambientet e Pavijonit të Rilindjes Kombëtare promovimin e katalogut “Rilindja Kombëtare dhe Pavarësia Shqiptare në Muzeun Historik Kombëtar”. Në fjalën e tij Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se: “Sot është një ditë e shënuar pasi kremtojmë 144 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila është një nga ngjarjet që shënuan historinë e kombit tonë ndaj dhe në përkujtim të kësaj dite kemi vendosur të bëjmë promovimin e katalogut “Rilindja Kombëtare dhe Pavarësia Shqiptare në Muzeun Historik Kombëtar”. Kjo është një përpjekje e vazhdueshme që kemi bërë me disa botime rradhazi, si botimet “Thesaret e Muzeut Historik Kombëtar”, “Katalogun e Ikonave Pasbizantibe së Muzet Historik Kombëtar” etj.Ky katalog me autor Drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi dhe z. Ledio Xhoxhi, specialist pranë muzeut, ka si qëllim kryesor nëpërmjet fotografive, objekteve origjinale ilustrimin e kësaj pjese të rëndësishme të historisë së popullit tonë atë të Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
