Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit”, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Shoqatën e Historianëve Ushtarakë dhe Organizatën Kombëtare të Dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare organizuan aktivitetin përkujtimor: “Përherë me ne”, që u kushtohet dëshmorëve të Smokthinës të rënë heroikisht në shkurt 1944. Në fjalën e tij prof. asoc. dr. Bernard Zotaj ndër të tjera tha: Gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre vranë në Ramicë pjesëmarrësin e çetës territoriale Izet Çaushit, plakën 90-vjeçare Sartë Gabaj, vajzën 14-vjeçare Male Kokallaj dhe Rrapo Resulin. Në Mesaplik vranë pleqtë Ali Sullaj, Ago Spahaj dhe Halim Zigur Canaj. Më 5 shkurt 1944 në Beder një ekspeditë gjermano-balliste kryen atë që ka hyrë në histori si “Masakra e Boderit” duke vrarë shtëpi më shtëpi: Sefer Nuredin Birçaj, Resul Selman Resulaj, Rrapo Imo Hitaj, Islam Maze Islamaj, Arif Hamit Hamitaj, Mustafa Zigur Imohitaj, Manxhar Resul Rudaj dhe Dano Rushit Islamaj. Në këto ditë në pyjet e Boderit arrestuan Qeriba Derrin, Elamz Derrin dhe disa smokthinjotë të tjerë. Këta të dy, si “komunistë të rrezikshëm”, i burgosën në burgun e Vlorës dhe më 4 prill 1944, pas shumë torturash së bashku me tre shokë të tjerë i pushkatuan te Xhamia e Tabakëve.Në vijim të aktivitetit e morën fjalën Bashkim Qeli, prof. asoc. dr. Zaho Golemi, Ilir Shkëmbi, Jorgo Qirko etj.
