Ndërkohë që sezoni veror vijon të jetë me vizitorë në MHK, ku të huajt duket se kanë jo pak interes për objektet, që janë të ekspozuara. Muzetë historikë kombëtarë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas dhe me sistemin kombëtar të arsimimit të tij. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit për kombin si dhe për përcjelljen e këtij vetimazhi tek vizitorët dhe në botën e jashtme. Muzeu Historik Kombëtar është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.