PAVIONI I LUFTËS ANTIFASHISTE NACIONALÇLIRIMTARE

Pavijoni i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare është ringritur në vitin 2004. Ky vit ka qenë viti i përkujtimit e i rivlerësimit të lartë të antifashizmit botëror, sepse për shumë vende europiane, ai lidhet me 60-vjetorin e çlirimit nga nazi-fashizmi. Në pavijon janë rreth 270 objekte, që kanë të bëjnë me ngjarje që nga Lufta e Vlorës, në vitin 1920 e deri në vitin 1945-viti  që shënon edhe mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Pavijoni pasqyron periudhën e ardhjes së fashizmit në pushtet e deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, me fitoren e koalicionit antifashist.

Në pavijon trajtohet kryesisht periudha nga 7 prilli 1939 e deri më 1945. Por ai ka edhe një prolog të ngjarjeve në Shqipëri para 7 prillit të 1939-ës. Në pavijon paraqitet edhe “pushtimi ekonomik” i Shqipërisë gjatë viteve ’20-’30 të shekullit të kaluar, kur Zogu u mbështet plotësisht tek Italia fashiste e nënshkroi me të edhe Paktin I dhe Paktin II të Tiranës në vitet 1926 dhe 1927. Në vazhdim trajtohet mendimi i disa personaliteteve të kulturës shqiptare kundër fashizmit, si Nonda Bulka, Sotir Kolea, Migjeni dhe Fan Noli, të cilët që në fillim e kuptuan se Shqipërisë po i afrohej një rrezik i madh. Shqiptarët e kundërshtuan që në fillim fashizmin, duke marrë pjesë në Luftën e Spanjës kundër forcave fashiste të Frankos gjatë viteve 1936-1939. Ata u bënë pjesë të Brigadave Internacionale e patën edhe dëshmorët e tyre.

Ideatori kryesor i pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste ishte konti Galeazzo Çiano, dhëndri i Benito Musolinit, të cilit i paskësh lindur ideja për një “zgjidhje tërësore për Shqipërinë”. Pushtimi i Shqipërisë vjen si rrjedhojë e një plani të paramenduar të kontit Çiano.     Ideja fikse e Çianos për Shqipërinë lindi menjëherë pas udhëtimit të tij të parë në Tiranë, në prill të vitit 1937. Më 25 gusht 1937 ai shkruante në ditar: “Nuk dihet se çfarë sjell ardhmëria. Ne duhet të jemi gati për të shfrytëzuar rastet që do të na paraqiten. Ne nuk do të tërhiqemi si më 1920. Në Italinë e Jugut kemi thithur disa qindra mijëra shqiptarë. Pse të mos bëhët kështu edhe në bregun tjetër të Adriatikut”?

Në ditarin e tij, gjatë vizitës së dytë, më 28 prill 1938, pra të nesërmen e martesës së A. Zogut, Çiano jep një tjetër provë se mendimi i tij për Shqipërinë ishte pjekur tek ai prej kohësh. Ai shkruante kështu: “Kthehem nga Shqipëria më i bindur se kurrë në idetë e mia për një zgjidhje tërësore”. Më 30 prill ai shtonte në ditarin e tij: “I fola Duçes rreth udhëtimit tim në Shqipëri. Do ta përmbledh në një raport, por ai menjëherë ra dakort për një zgjidhje tërësore.” Ai bëri një raport të detajuar, i cili iu dorëzua Musolinit, ku pas një përshkrimi të hollësishëm të gjendjes në Shqipëri, i propozon tri zgjidhje të mundshme: 1-Shtrëngimi gjithnjë e më i madh i vendit përmes pengesash ekonomike, të cilat më pas do të bënin të mundur edhe aspektin politik. 2-Copëtimi përmes një marrëveshjeje të Italisë me Jugosllavinë e ndoshta, edhe me Greqinë. 3-Aneksimi përmes një bashkimi personal zgjidhje, të cilën edhe vetë ai e lakmonte më shumë se çdo gjë tjetër. Kjo ide edhe Musolinit iu duk më e përshtatshme. Ai ishte i gatshëm edhe për luftë, vetëm që mos ta humbiste Shqipërinë, të cilën e shikonte si vendin më të përshtatshëm për interesat e Italisë fashiste.

Një vend të rëndësishëm në këtë pavijon zë Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar. Pushtimi fashist italian më 7 prill 1939, ishte një ndër aktet e para agresive të fashizmit në Europë. Në pushtimin e Shqipërisë morën pjesë rreth 40 mijë ushtarë, 400 aeroplanë e 12 anije lufte. Luftimet më të përgjakshme u bënë në Durrës, por edhe në Shëngjin, Vlorë e Sarandë. Përballë këtyre forcave të shumta, në portin e Durrësit e rreth tij ishin 600 luftëtarë shqiptarë, të pajisur me pushkë, mitralozë e topa, që drejtoheshin nga komandanti i xhandarmërisë së Durrësit, Abaz Kupi. Më 7 Prill 1939 Zogu, mbreti i shqiptarëve ndoqi planin e Pandeli Evangjelit, për të organizuar një qëndresë jashtë Shqipërisë. Ai mori rrugën për në jug të Shqipërisë për tu larguar  në Greqi. Në Durrës trupat italiane u pritën me zjarr nga Mujo Ulqinaku, kapter i marinës dhe nga Abaz Kupi, të cilët e zmbrapsën disa herë sulmin e armikut. Xhafer Ypi luajti rolin kryesor në thirrjen e “Asamblesë Kushtetuese”, që përbëhej nga 159 anëtarë, kryesisht pronarë tokash, bajraktarë, tregtarë dhe klerikë. “Asambleja” u mblodh për herë të parë më 12 Prill 1939. Fillimisht ajo rrëzoi dinastinë zogiste dhe shfuqizoi Statutin themeltar të 1928-ës, i cili shërbente si bazë ligjore e monarkisë. “Asambleja” vendosi, gjithashtu bashkimin e Shqipërisë me Italinë nën kurorën mbretërore të Viktor Emanuelit III dhe nxiti popullsinë të besonte te Italia. Pra, Shqipëria do të funksiononte zyrtarisht si monarki kushtetuese autonome, e trashëguar e Kurorës së Savojës. “Asambleja Kushtetuese” krijoi një qeveri “shqiptare” me kryeministër Shefqet Vërlacin, pronar i madh tokash dhe armik personal i Zogut.

Më 13 prill 1939, Këshilli i Madh Fashist miratoi bashkimin e shpallur nga “Asambleja Kushtetuese” shqiptare. Më 16 prill 1939, një delegacion i madh zyrtarësh shqiptarë, me në krye Shefqet Vërlacin i dorëzoi kurorën shqiptare Viktor Emanuelit III. Më 23 prill, Françesko Jakomoni, ambasadori italian në Shqipëri, u emërua mëkëmbës i parë i mbretit italian në Shqipëri. Mëkëmbësia nga ana e saj, sapo u krijua, dekretoi formimin e Këshillit të Epërm Fashist Korporativ, që do luante rolin e parlamentit. Kryetar i Këshillit u zgjodh Terenc Toçi.

Në këtë pavijon pasqyrohet edhe qëndresa e nacionalistëve shqiptarë, të cilët nuk e pranuan kurrë regjimin e pushtimit fashist. Një akt patriotik tregoi ish-kryeministri Mehdi bej Frashëri, i cili me iniciativën e tij, iu drejtua popullit nëpërmjet radios për rrezikun real të pushtimit fashist italian të vendit. Agresioni fashist u dënua rëndë edhe nga diaspora shqiptare në Argjentinë, Francë, Australi, Amerikë, Angli, Egjipt, Rumani, Bullgari, Turqi, Greqi dhe Odesë (Ukrainë). Më 16 prill, shqiptarët e Amerikës në Boston u mblodhën në një nga teatrot e tij më të mëdhenj, në “Franklin Holl”. Morën pjesë rreth 1000 shqiptarë dhe shumë të huaj. Në këto protesta bëri bujë sidomos zëri i atdhetarit e personalitetit të shquar, Fan Noli, i cili e përjetoi gjithë dhembje këtë ngjarje tragjike. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste pati jehonë të madhe në opinionin publik europian. Shumë gazeta prestigjoze në Europë e dënuan pushtimin ushtarak të Shqipërisë. Më 8 prill 1939, në parlamentin anglez, në dhomën e komuneve, pushtimi i Shqipërisë u cilësua si një provë tjetër e agresivitetit të fuqive fashiste. Por, u theksua se nuk ishte nevoja që gjendja të dramatizohej jashtë mase dhe u vendos që ambasadori anglez në Shqipëri të hynte në disa marrëdhënje të kufizuara me Italinë, të quajtura “marrëdhënie de facto”.

Ministri i Jashtëm anglez, Çamberleni, deklaroi në dhomën e komuneve se Shqipëria ishte jashtë zonës së interesave angleze dhe urdhëroi mbylljen e legatës shqiptare në Londër. Franca nuk e mbylli legatën shqiptare, por nuk protestoi hapur kundër pushtimit. Shqipëria duhej të sakrifikohej për shkak të paqes europiane.

Më 2 qershor 1939, pushtuesit italianë formuan në Shqipëri Partinë Fashiste Shqiptare, si degë e Partisë Fashiste Italiane, që drejtohej nga B.Musolini. Kjo ishte partia e vetme politike në Shqipërinë fashiste. Sekretar i Përgjithshëm i saj u zgjodh Tefik Mborja. Zyrtarisht, nuk ekzistonte ndonjë detyrim për të hyrë në parti, por atyre që nuk pranonin të aderonin, ua bënin jetën të veshtirë, sidomos nëpunësve të administratës. Edhe flamurit shqiptar iu shtua emblema e fashizmit italian. 

Të gjithë nëpunësit shtetërorë duhej të ishin pjesë e Partisë Fashiste. U morën shumë masa në arsim; u ndaluan shumë lëndë dhe u hoqën nga qarkullimi literaturat e huaja; lejohej vetëm literatura fashiste. Misioni francez i arkeologjisë, që udhëhiqej nga Leon Rei, u detyrua ta pezullonte punën dhe të largohej nga Shqipëria. Nga Shqipëria u largua edhe fondacioni amerikan “Rokfeler”. Administrata fashiste u përpoq ta kishte çdo gjë në duart e veta, madje edhe popullin, çka nuk arriti ta bënte kurrë. Në varësi të Partisë Fashiste u krijuan dhe një numër organizatash ndihmëse pas pune (dopo lavore) të rinisë, të grave, të studentëve universitarë, shoqata kulturore e sportive etj., të cilat do të punonin per të përhapur idetë dhe organizimin fashist në shtresa të ndryshme të shoqërisë shqiptare, veçanërisht të rinisë.

Çeta e Pezës është çeta e parë antifashiste në Shqipëri. Ajo u krijua gjatë vitit 1940 nga Myslym Peza. Gjatë vitit 1941 çeta i intesifikoi veprimet e saj. Në mars ajo ndërmori disa aksione kundër pushtuesve italianë. Veprimtaria e Çetës kishte rëndësi të madhe, pasi ajo vepronte në afërsi të kryeqytetit dhe për rrjedhojë jehona e saj përhapej në të gjithë vendin.

Në këtë pavijon pasqyrohet edhe atentati i antifashistit shqiptar Vasil Laçi kundër Viktor Emanuelit III, gjatë vizitës së tij në Tiranë, më 18 maj 1941. Si një përgjigje e papritur tingëllon për Romën atentati që punëtori shqiptar Vasil Laçi qëlloi me armë në Tiranë në maj 1941kundër mbretit-perandor. Ky akt pati jehonë të madhe në vend dhe më gjerë. Ai tregoi se pezmatimi i shqiptarëve kishte arritur kulmin e se vendi po hynte në një fazë të re të luftës, që karakterizohej nga shtimi i veprimeve të armatosura të luftëtarëve antifashistë.

Një vend tjetër të rëndësishëm në këtë pavijon, zë themelimi i Partisë Komuniste më 8-14 nëntor 1941. Në themelimin e saj morën pjesë tri grupe kryesore, që vepronin në vend, Grupi i Korçës, i Shkodrës dhe i të Rinjve. Në mbledhje morën pjesë edhe dy të dërguarit e Partisë Komuniste Jugosllave, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Mbledhjen e hapi Miladin Popoviçi, i cili ishte pranuar paraprakisht nga pjesëmarrësit, që të drejtonte punimet, si i dërguari i Kominternit. Mbledhja zgjodhi udhëheqjen e përkohshme të Partisë Komitetin e Përkohshëm Qendror, të përbërë nga Enver Hoxha, Gjin Marku, Koçi Xoxe, Kristo Themelko, Qemal Stafa, Ramadan Çitaku, Tuk Jakova dhe miratoi Rezolucionin, në të cilin parashikoheshin dy detyra kryesore: çlirimi i vendit dhe ndërtimi i një rendi demokratik në Shqipëri.

Në periudhën midis janarit dhe korrikut të vitit 1942, veprimtaria guerrilase arrin suksese në zonat malore dhe Partia Komuniste i shfrytëzon për të mbledhur në Pezë një konferencë (16 shtator 1942), ku marrin pjesë edhe përkrahësit nacionalistë të mbretit Zog.   Konferenca e Parë Nacionalçlirimtare, e cila u mbajt në Pezë më 16 shtator të vitit 1942, zë një vend të rëndësishëm. Problem themelor në Konferencën e Pezës ishte bashkimi i popullit, pa dallim feje, krahine dhe bindjeje politike në një front të përbashkët kundër pushtuesit. Në Konferencë morën pjesë, si partnerë të barabartë të gjitha forcat antifashiste. Konferenca doli me një rezolucion, që përbënte platformën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar dhe u pranua njëzëri nga delegatët. Në Konferencën e Pezës u vunë themelet e Lëvizjes Nacionalçlirimtare: luftë e paprerë armikut okupator deri në çlirimin e Shqipërisë, ngrehja e këshillave nacionalçlirimtare, si i vetmi pushtet popullor.

Më 29 shtator 1942 u themelua Partia e Ballit Kombëtar, me kryetar Mit’hat Frashërin. Programi politik i Ballit Kombëtar ishte Dekalogu, i cili parashtronte tri detyra kryesore: rivendosjen e pavarësisë së atdheut, vendosjen e regjimit demokratik në vend dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në vitin 1943, Mehdi Frashëri thotë: “Atëhere siç do organizatë revolucionare, Balli Kombëtar duhet të mbetet i inkuadruar në Demokracin luftuese. Pikënisja e çdo organizate revolucionare në fuqi duhet të filloj me largimin prej gjirit të sajë e të gjithë atyre njerëzvet që vijojnë, me dashje e pa dashje, drejtazi e tërthorazi, të kenë marëdhënie me elementët të i’nkuadruem në sistemin fashist”.

Në fillim të korrikut 1943, Kryesia e Këshillit të Përgjithshën Nacionalçlirimtar vendosi të thërriste një mbledhje të posaçme të Këshillit, ku do të diskutoheshin një varg problemesh të rëndësishme. Mbledhja i nisi punimet më 4 korrik 1943 në Labinot. Në Labinot u vendos krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në përbërje të tij (12 veta), përveç komunistëve, një pjesë të mirë e zinin edhe nacionalistët. Shtabi i përgjithshëm përcaktoi strukturën organizative dhe zgjodhi komandantin dhe komisarin. Komandant i Shtabit u zgjodh Spiro Moisiu, kurse komisar politik Enver Hoxha.

Një vend tjetër të rëndësishëm zë Mbledhja e Mukjes, e cila i zhvilloi punimet nga data 1-3 gusht 1943. Për nga tematika, Mbledhja e Mukjes mund të konsiderohet si edicioni i dytë i Konferencës së Pezës, pasi edhe këtu në rend të ditës ishte bashkimi i forcave politike për të luftuar kundër pushtuesit të huaj, që të fitohej liria dhe të rivendosej pavarësia e atdheut. Mukja kishte dy ndryshime të rëndësishme në krahasim me Pezën. Së pari, tani jo vetëm komunistët, por edhe pjesmarrësit e tjerë vinin në mbledhje jo si individë, por si përfaqësues të forcave politike të angazhuara në luftë. Delegatët e Mukjes u përkisnin dy rreshtimeve politike: Frontit Nacionalçlirimtar, në të cilin, veç komunistëve, bënin pjesë dhe zogistët, si edhe nacionalistë të tjerë dhe Ballit Kombëtar, i cili, gjithashtu përbëhej nga nacionalistë të orientimeve të ndryshme. Së dyti, Mbledhja e Mukjes nuk u bë për të krijuar një aleancë të përbashkët, siç ndodhi në Pezë me Frontin Nacionalçlirimtar, por për të lidhur një aleancë midis dy organizatave politike që pretendonin se kishin të njëjtin status juridik.

Konferenca II Nacionalçlirimtare i zhvilloi punimet nga 4-9 shtator 1943. Ajo bëri bilancin e veprimtarisë njëvjeçare, të zhvilluar nga Fronti Nacionalçlirimtar që nga Konferenca e Parë Nacionalçlirimtare e Pezës dhe mori vendime për një varg çështjesh që preokuponin Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Konferenca miratoi vijën politike, që kishte ndjekur deri në atë kohë Fronti Nacionalçlirimtar. Ajo vuri në dukje se kjo vijë i kishte dhënë frytet e saj. Konferenca miratoi Statutin dhe Regulloren e këshillave nacionalçlirimtarë, të cilët ishin shqyrtuar dhe pranuar, nen për nen, në Këshillin e Përgjithshën Nacionalçlirimtar në korrikun e atij viti.

Konferenca analizoi edhe qëndrimin e delegacionit të Frontit Nacionalçlirimtar në bisedimet e zhvilluara në Mukje me përfaqësuesit e Ballit Kombëtar. Konferenca miratoi vendimin e Këshillit të Përgjithshëm për anulimin e marrëveshjes së arritur në Mukje, pasi, siç u tha aty, ajo binte ndesh me programin dhe qëllimin e Frontit Nacionalçlirimtar, si edhe me platformën e bisedimeve, që kishte miratuar Këshilli i Përgjithshëm. Delegatët kritikuan ashpër pjesëtarët e Frontit Nacionalçlirimtar, veçanërisht Ymer Dishnicën dhe Mustafa Gjinishin, të cilët, siç u tha në mbledhje, kishin rënë në pozitat e Ballit Kombëtar dhe kishin nënshkruar një marrëveshje kompromisi, që dëmtonte interesat e Frontit e të Lëvizjes Nacionalçlirimtare.

Më 8 shtator u shpall kapitullimi i Italisë fashiste, i cili erdhi si pasojë e disfatave që pësuan armatat gjermane dhe italiane në frontet kryesore të Luftës së Dytë Botërore. Pas disfatës së Gjermanisë në Stalingrad, Italia humbi çdo shpresë për të fituar luftën. Në korrik forcat anglo-amerikane zbarkuan në Siçili dhe në gusht, në gadishullin e Apenineve, duke e rënduar më tej pozitën e Boshtit Fashist. Në rrethana të tilla, Qeveria e Badolios, e cila kishte ardhur në fuqi, pas rënies së Musolinit, u detyrua të shpallte kapitullimin e Italisë dhe të fillonte bisedimet me aleatët për daljen nga lufta. Zbarkimi i aleatëve në Siçili dhe rënia e Musolinit (25 korrik 1943) i japin forcë të re veprimtarisë ushtarake dhe organizative të Luftës Nacional-Çlirimtare, Këshilli i Përgjithshëm krijon në korrik të vitit 1943 një shtab të vërtetë të përgjithshëm të ushtrisë së çlirimit të vendit, duke emëruar Enver Hoxhën komisar të tij politik.

Pas nënshkrimit të aktit të kapitullimit me aleatët e Koalicionit Antifashist, mareshali Badolio njoftoi komandën e trupave italiane në Shqipëri se aleanca me Gjermaninë kishte marrë fund. Për rrjedhojë, do të ndërpritej çdo bashkëpunim me komandat dhe me repartet gjermane. Ndërkohë, repartet italiane udhëzoheshin që të ndërprisnin veprimet luftarake kundër forcave partizane dhe forcave të tjera antifashiste, të hynin në lidhje me komandat e tyre dhe t’u thuhej se ishin të gatshëm të luftonin së bashku kundër trupave gjermane.

Sapo u mor vesh lajmi i kapitullimit të Italisë, madje, pa u bërë i njohur publikisht, gjermanët nisën zbatimin e planit të pushtimit të Shqipërisë, që kishin hartuar më parë. Për kryerjen e veprimeve të parashikuara u ngarkuan Ministria e Jashtme e Gjermanisë dhe Vermahti. Lëvizja e parë politike që bëri Ministria e Jashtme gjermane në prag të pushtimit, qe emërimi i Herman Nojbajerit, kryetar i bashkisë së Vjenës, në detyrën e të ngarkuarit të posaçëm të Gjermanisë në Europën Juglindore. Nojbajeri kishte punuar edhe më parë me Ballkanin, si përfaqësues i Hitlerit për çështjet ekonomike.

Gjermania u vendos në Shqipëri në rrethana të vështira. Beteja e Stalingradit dhe ajo e Kurskut i kishin dhënë asaj goditje të pariparueshme. Fuqia dhe morali i trupave të Rajhut ishin në rënie të vazhdueshme. Veç kësaj, zbarkimi i ushtrive aleate në Italinë e Jugut dhe më pas, kapitullimi i Italisë  kishin goditur rëndë Boshtin dhe kishin dobësuar ndjeshëm fuqinë e tij luftarake në krahun jugor të Europës. Duke pasur parasysh dështimin italian në Shqipëri, si dhe rrethanat e vështira që po kalonte Gjermania, u përpunuan edhe idetë për statusin që do të kishte Shqipëria e pushtuar. Në fillim, Hitleri dha urdhër që Shqipëria të trajtohej si një “vend i pushtuar me dhunë”, por më pas ndryshoi mendim dhe urdhëroi që Shqipërisë t’i njihej statusi i një vendi me “pavarësi relative” dhe “sovranitet të kufizuar”-terma këta, të sajuar për të mbuluar pushtimin ushtarak të vendit. Në Berlin mendohej se duhej të ngrihej një qeveri “shqiptare”, e cila do të kontrollohej nga autoritetet ushtarake të pushtimit dhe në këtë mënyrë, do të sigurohej më mirë qetësia, rendi dhe lëvizja e lirë. Ndryshe nga Italia, Gjermania u përpoq të krijonte përshtypjen se nuk synonte dhe nuk pretendonte as aneksimin dhe as kolonizimin e Shqipërisë, se ajo qe e detyruar të ndërmerrte aksione ushtarake këtu nga rrethanat e luftës. Autoritetet gjermane nuk ndërmorën veprime të rëndomta, si ndryshimin e flamurit e të simboleve të tjera kombëtare, ndërrimin e emrave të shesheve e të rrugëve, siç patën bërë Fashistët italianë. Ata nuk u orvatën të krijonin partinë naziste, siç patën bërë italianët me Partinë fashiste dhe as të vendosnin këshilltarë në çdo institucion, ose të krijoheshin organizma të posaçëm, që për çdo gjë të pyetej Berlini, siç qe pyetur më parë Roma. Ndërsa të gjithë të huajt bënin gabime në Shqipëri për shkak të mosnjohjes së vendit, gjermanët jo vetëm bënë më pak, por ata mësuan shpejt nga gabimet e armiqve të tyre.

Shqipëria u trajtua edhe më ndryshe se disa vende të tjera të pushtuara prej tyre, si Franca, ku qeverisë së Vishisë i ishte lënë nën administrim vetëm një zonë e ngushtë, ose Norvegjia dhe Çekosllovakia, ku administrimi do të bëhej drejtpërdrejt nga autoritetet ushtarake: në Shqipëri u parashikua që qeverisja e vendit të bëhej nga vetë shqiptarët. Pjesë e planit gjerman ishte edhe Kosova. Në kuadër të këtij plani, ajo do të ruante statusin dhe të drejtat që kishte pasur nën pushtimin italian, por do të përfitonte edhe më shumë. Në premtimet gjermane përfshihej dhe krijimi i “Shqipërisë etnike”.

Në direktivat e shtatorit 1943, udhëheqja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare i udhëzonte komandat e njësive partizane për qëndrimin që duhej të mbanin në situatën e krijuar pas kapitullimit të Italisë: në qoftë se ushtria italiane nuk do të luftojë kundër nesh, ne do ta ftojmë në luftë, me parullën “vëllazërim në luftë kundër ushtrisë hitleriane” dhe ushtarët italianë do t’i konsiderojmë si vëllezër armësh; në rast të kundërt, në qoftë se do të vijojnë luftën kundër nesh, ne do t’i luftojmë ata njëlloj si gjermanët.

Në shtator 1943, pas Konferencës së Dytë Nacionalçlirimtare, e cila anuloi Marrëveshjen e Mukjes dhe i shpalli këshillat nacionalçlirimtare si pushtetin e vetëm të ligjshëm në Shqipëri, zogistët u kundërpërgjigjën me krijimin e Partisë Nacional-Zogiste. Në kongresin e zhvilluar në Zall-Herr, më 21 nëntor 1943, ata shpallën formimin e partisë “Lëvizja e Legalitetit”. Nacionalistët me parime monarkiste u bashkuen për të formue Partin e Legalitetit, nën kryesinë e Abaz Kupit, që kishte drejtue luftën kundër invadorit në Durrës. Në programin e saj parashikohej që të luftohej për çlirimin e vendit, kthimin e Legalitetit, pra, të Mbretit e të regjimit mbretëror, të Kushtetutës së vitit 1928, si edhe kryerja e reformave në vend. Udhëheqës i partisë ishte Abaz Kupi. Ai u përpoq të krijonte një lëvizje nacionaliste me bazë të gjerë, e cila, me gjithë përpjekjet e bëra, nuk ia arriti dot. Ajo mbeti një lëvizje e ngushtë, lokale dhe me mbështetje të pakët.

Më 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944, zhvilloi punimet Konferenca e Bujanit, në kullën e Sali Manit, bajraktarit të Krasniqes. Nga 61 delegatë të ftuar, morën pjesë 49 prej tyre. 42 prej tyre ishin shqiptarë, 4 serbë dhe 3 malazezë. Diskutuesit e vlerësuan si kritike, por edhe si vendimtare gjendjen në Kosovë; prandaj u shprehën njëzëri për nevojën e intesifikimit të luftës kundër pushtuesit dhe për angazhimin në luftë të të gjitha shtresave e rrymave shoqërore.

Në vazhdim, në këtë pavijon pasqyrohen ngjarjet e pranverës së vitit 1944, kur komanda gjermane vendosi të ndërmerrte një mësymje tjetër të përgjithshme, me forca më të mëdha se në mësymjen e dimrit. Qëllimi i saj ishte asgjësimi i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Sipas planit, në mësymje do të mernin pjesë forca nga katër divizione, gjithsej 40 mijë ushtarë; kurse rreth 10 mijë forca kolaboracioniste vendase do të kryenin kryesisht veprime ndihmëse. Kështu armiku kishte dy herë më shumë forca dhe një epërsi të pakrahasueshme në mjete e në teknikë luftarake. Pikërisht në këtë kohë, Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtare vendosi të thërriste Kongresin I Antifashist Nacionalclirimtar. Kongresi i zhvilloi punimet në qytetin e lirë të Përmetit nga data 24-28 maj, me pjesëmarrjen e delegatëve nga i gjithë vendi. Kongresi mori një numër vendimesh të rëndësishme. Ai zgjodhi Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ), si organin  më të lartë legjislativ dhe ekzekutiv në Shqipëri, si përfaqësuesin e sovranitetit të popullit e të shtetit shqiptar etj. Këshilli Antifashist, nga ana e tij formoi Komitetin Antifashist Nacionalçlirimtar, me atributet e qeverisë së përkohëshme. 

Më 20-23 tetor 1944, në Beratin e çliruar u zhvillua Mbledhja e Dytë e KANÇ. Duke marrë parasysh se luftës po i afrohej fundi dhe vendi ndodhej në prag të çlirimit, më 22 tetor 1944, Mbledhja vendosi shndërrimin e Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar, të zgjedhur në Përmet, në Qeveri Demokratike të Shqipërisë. Kryetar i qeverisë u emërua Enver Hoxha. Ndërkohë, luftimet u përqendruan në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Më 29 tetor 1944 , me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, filloi sulmi për çlirimin e plotë të Tiranës. Më 30 tetor, Shtabi i Divizionit I Partizan e vendosi selinë në qendrën e kryeqytetit. E përgjakshme qe edhe Beteja e Mushqetasë e 13 dhe 14 nëntorit 1944. Më 15 nëntor 1944, repartet e forcave partizane u hodhën në sulmin vendimtar. Dhe pas 19 ditësh luftimesh të përgjakshme, më 17 nëntor 1944, Tirana u çlirua. Gjatë 19 ditëve, në luftimet e Tiranës, garnizoni gjerman la më shumë se 2000 të vrarë, u zunë më shumë se 300 robër e të plagosur, 2 tanke, 1 autoblindë, 25 topa, 200 automjete dhe gjithë materiali i kolonës armike. Në këto luftime forcat partizane patën 127 të vrarë e të plagosur. Nga popullsia civile qindra veta u masakruan barbarisht nga armiku.

Çlirimi i Tiranës paralajmëroi çlirimin e gjithë Shqipërisë. Tirana qe kështu një ndër kryeqytetet e para në botë, që çlirohej me forcat e veta.  Më 28 nëntor 1944, Qeveria Demokratike e Shqipërisë dhe Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar hynë në kryeqytetin e çliruar. Qyteti i fundit, që mbahej nga forcat hitleriane ishte Shkodra. Për çlirimin e saj u ngarkuan Brigada VI, VII, XXII, XXIII dhe Grupi Partizan i Shkodrës. Luftime të ashpra u zhvilluan përreth Shkodrës më 28 nëntor 1944, ku u thyen trupat gjermane. Pas mesit të natës forcat armike e lëshuan qytetin. Në mëngjesin e datës 29 nëntor, në Shkodrën e lirë hynë luftëtarët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Lufta e Dytë Botërore është cilësuar si lufta më shkatërrimtare, si lufta që e ktheu gjithçka në varrezë. Që nga shek. XVII, asnjë luftë në Europë nuk ka qenë kaq mizore dhe me kaq shumë shkatërrime. Tani paqja ishte rikthyer, por shumë e kuptuan sikundër poeti në fund të Luftës Tridhjetvjeçare, se ajo ishte paqe e ngritur mbi një varrezë.

Një rëndësi e veçantë në këtë pavijon u është kushtuar edhe Misioneve Aleate në Shqipëri. Ato kanë dhënë kontributin e tyre gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Çdo mision i SOE në Shqipëri kishte emrin e vet të koduar dhe po ashtu, çdo fluturim e çdo hedhje për një mision mbante emrin e koduar të misionit në fjalë dhe një numër në vazhdim.

Misioni i parë britanik kryesohej nga majori Billi Maklin. Misioni qe me rëndësi të veçantë, sepse u vendosën kontakte të dretpërdrejta me rezistencën shqiptare. Misioni hyri në Shqipëri nga Greqia nga fundi i prillit dhe fillimi i majit 1943. Në tetor 1943, SOE ( Drejtoria e Operacioneve Speciale) mori udhëzim të dërgonte në Shqipëri një mision të nivelit të lartë, të kryesuar nga gjeneral brigade Edmond Dejvis, i cili do të bashkrendonte punën e grupeve angleze, që vepronin në Shqipëri.

Një kënd i posaçëm në pavijon u është kushtuar hebrenjve gjatë Luftës II Botërore në Shqipëri. Sipas statistikave botërore, rezulton se shqiptarët janë ndër të paktët popuj që nuk ua dorëzuan hebrenjtë nazistëve gjermanë, por i strehuan dhe mbrojtën ata.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte pjestare e Koalicionit të madh Antifashist Botëror.