“Terrori dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë”, historia e masakrave në 200 fotografi dhe dokumenta

“Terrori serb ishte i planifikuar”. Kështu thotë Fetnete Ramosaj, autore e ekspozitës “Terrori dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë”, e cila u çel në hollin e Muzeut Historik Kombëtar. Copëza historie nga lufta trasmetohen përmes 200 fotografive e faksimile dokumentesh.

Në emër të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë Prof. Dr. Ismet Salihu gjatë fjalës hapëse tha se, këto fotografi tregojnë një segment të pushtetit serb që ka kryer ndaj popullatës së pafajshme shqiptare. Sipas tij zbardhja e rasteve dhe vënia para drejtësisë e krimeve makabër do të ishte satisfaksion për familjarët, ndërsa shteti duhet të veprojë sipas ligjeve në fuqi dhe konventave ndërkombëtare.

Lufta e fundit në Kosovë, e cila u zhvillua mes viteve 1998-1999, mori shumë jetë të pafajshme njerëzish. Mijëra shqiptarë të kësaj treve mbetën të vrarë dhe të masakruar nga trupat paramilitare por dhe ato të rregullta të ushtrisë serbe. Ndërsa mendohet që mbi një mijë të tjerë të vazhdojnë të cilësohen si të zhdukur pasi ende nuk dihet se ku mund t’u gjenden eshtrat. Pavarësia ishte epilogu i të gjithë kësaj historie përplasjesh, e cila kishte filluar qysh nga koha kur Kosova iu aneksua shtetit Shqiptar të sapo formuar për t’iu bashkangjitur një shteti me një etni krejt të ndryshme siç është Serbia. Liria u fitua gati 90 vite më pas, por me një kosto të lartë.

“200 fotografitë dhe faksimile dokumentash që janë ekspozuar në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, na e sjellin këtë realitet makabër, krejt të prekshëm. Nuk ka nevojë për komente. Mjafton të shikosh këto imazhe për të kuptuar se si policia dhe militarët serb, të mbështetur nga prapavija politike e spastrimit etnik të Millosheviçit, kanë masakruar popullsinë e pambrojtur shqiptare, jo vetëm burrat, por dhe gratë e fëmijët. Ndërsa mesazhi kryesor që të vjen në mend kur ndeshesh me këto pamje rrënqethëse padyshim është: të luftohet harresa”, tha në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Melsi Labi.

Duke falenderuar pjesëmarrësit dhe në mënyrë të veçantë Muzeun Historik Kombëtar që mundësoi hapjen e kësaj ekspozite në Tiranë, autorja Ramosaj u shpreh se në këtë ekspozitë janë të pasqyruara krimet të cilat janë bërë mbi shqiptarët, si masakra mbi familjen Jashari, ajo e Prekazit, maskara e bërë në Burgun e Dubravës e shumë masakra të tjera.

Në çeljen e ekspozitës ishin përfaqësues të ambasadës së Kosovës në Tiranë por dhe të ambasadës Kroate.

Diplomati Syl Ukshini, në emër të ambasadës së Kosovës tha se: “Krimet e ndodhura në Kosovë në vitin 1998-´99 ishin krime që nuk ishin parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe këto krime prandaj patën jehonë në të gjithë botën. Këto krime bënë që dhe NATO të ndërhynte në Kosovë. Ndaj kjo ekspozitë është për të dëshmuar krimet dhe ballafaqimin e krimit në Ballkan me krimin e së kaluarës”. 

Ekspozita “Terrori Dhe Gjenocidi i Serbisë në Kosovë”, e autores Fetnete Ramosaj, ka mundur të dali në dritë pas një pune shumë të madhe kërkimore, ku për grumbullimin e materialeve që kanë të bëjnë me krimet e luftës, asaj i janë dashur 16 vite.
IMG_0473-001 IMG_0465

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!