Ekspozita “105-VJETORI I SHPALLJES SË PAVARËSISË”

Ekspozita me rastin e 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë organizohet nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksionistëve të Shqipërisë. Objekti kryesor i kësaj ekspozite tematike është pena, me të cilën është nënshkruar Akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Objekt tjetër me rëndësi është aparati telegrafik mors, me të cilin Qeveria e Përkohshme e Vlorës ka marrë e ka dhënë telegrame gjatë periudhës 1912-1914. Në stenda janë ekspozuar objekte të protagonistëve të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në ekspozitë do të gjeni flamuj të periudhës së Pavarësisë, foto origjinale të Ismail Qemalit, foto të firmëtarëve, që nënshkruan Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, dorëshkrime origjinale, gazeta e revista të asaj periudhe etj. Një vend të rëndësishëm në ekspozitë zënë flamujt e shoqërive atdhetare, të cilat ndezën dëshirën e patriotëve shqiptarë që Shqipëria të ishte e lirë dhe e pavarur.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 28 nëntor deri më 4 dhjetor 2017 në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *