“Unë kam qenë qytetar i Qytetit Stalin”

Capture1Capture

 

 

 

 

 

Qytetarët e Shqipërisë, të rinjtë apo ata që kanë kujtime nga koha kur një nga qytetet tona, Kuçova, është quajtur “Qytet Stalin”, janë të ftuar t’i bashkohen projektit më të ri të Muzeut Historik Kombëtar.

Bëhet fjalë për projektin “Unë kam qenë qytetar i Qytetit Stalin”, i cili nëpërmjet aktiviteteve të tij do të nxjerrë në pah një episod të rëndësishëm në historinë e Europës dhe të botës, praktikisht do të flasim për ndikimin e regjimit totalitar stalinist në shoqëritë civile në vendet komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore dhe se si aplikimi i parimit të “luftës së klasave shoqërore” ka izoluar shumë qytetarë në qytetet që janë quajtur “Stalin”.

Qasja është shumë inovative dhe interaktive sepse thekson përvojat personale të qytetarëve të Qyteteve Stalin, faktet e jetës së përditshme, “tregimet e vogla” përmes të cilave adoleshentët dhe të rinjtë e sotëm (të cilët nuk kanë jetuar dramën e asaj kohe) mund të kuptojnë lehtësisht pasojat e regjimeve totalitare në vlerat europiane dhe mirëqenien e qytetarëve europianë.

Për këtë arsye projekti synon të nxisë debatin publik se si, regjimet totalitare të Stalinit privuan qytetarët dhe të drejtat e tyre themelore dhe shkaktuan abuzime masive. Nga ana tjetër, projekti do të vërë përpara sfidës qytetarët e Europës bashkëkohore për të reflektuar mbi shkaqet që çuan në themelimin e Bashkimit Europian dhe promovimin e paqes nga qeveri dhe qytetarë të brezave që jetuan dramën e regjimeve totalitare të shekullit të XX-të në Europë.

Projekti ndjek një fije logjike: një pjesë e madhe e të moshuarve kanë jetuar rininë e tyre kur qyteti quhej “Stalin”; kujtimet e tyre do të mblidhen nga të rinjtë e kohës sonë dhe do të dalin në pah përmes projektit; për më tepër, pesë përfaqësues të çdo qyteti do të vizitojnë qytetet e tjera “Stalin” që bëjnë pjesë në projekt dhe ata do të ndajnë përvojën e tyre me komunitetet lokale, duke diskutuar ngjashmëritë dhe ndryshimet për kohën e shkuar dhe të tashme. Ekspozita, e cila është hapi përfundimtar i projektit do të sjellë së bashku të gjitha këto përvoja dhe do të tregojë historinë e 6 qyteteve. Projekti gjithashtu do të jetë edhe online në internet, si një mjet që do të plotësojë të gjithë këtë përvojë dhe gjithashtu do të shërbejë për të lidhur njerëzit kudo në botë për të ndarë historitë e tyre.

Projekti është i bashkë-financuar nga Programi i Bashkimit Europian “Europe for Citizens”, Strand 1: Kujtesa Europiane. Ai do të zbatohet nga Muzeu Historik Kombëtar së bashku me partnerët e tjerë që janë: Brasov History Museum (Romania), European Network Remembrance and Solidarity (Poland), Intercisa Múzeum Dunaújváros (Hungary), Varna Regional Museum of History (Bulgaria), The Institute for the Investigation of Communist Crimes and the Memory of the Romanian Exile (Romania), Mioritics Association (Romania).

Qytetet, të cilat do t’i bashkohen këtij rrjeti janë: Brasov (Rumani), Dunaújváros (Hungari), Katowice (Polonia), Kuçovë (Shqipëri) dhe Varna (Bullgari).

Në secilin prej këtyre qyteteve do të zhvillohet, në të njëjtën kohë, gjatë pesë muajve të parë të vitit 2017, një fushatë dokumentacioni dhe mbledhje e artikujve të rëndësishëm të periudhës historike të përmendur më lart. Nga muaji korrik do të organizohen trajnime dhe seminare me pjesëmarrësit më aktivë të projektit në çdo qytet, ku secili vend do të jetë mikpritës për një seminar. Projekti do të përfundojë me një ekspozitë në çdo qytet partner dhe me një ekspozitë udhëtuese, që do të përshkruajë projektin dhe zbatimin e tij në secilin qytet.

 

 

Person kontakti: Blerina Braho, bela.braho@gmail.com, +355(0)693305372

Me shumë informacione: www.mystalintown.org

Facebook: www.facebook.com/????

Website: www.mhk.gov.al

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: Content is protected !!