Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe dhe në kuadër të kësaj dite Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë organizoi aktivitetin “Shkolla e parë shqipe, Mësonjëtorja”.
7 Marsi është një ditë e rëndësishme për arsimin në Shqipëri dhe në trojet etnike shqiptare, për këtë specialistët e Muzeut Historik Kombëtar kishin përgatitur një material rreth historikut të kësaj date.
Më pas nxënëset Ana Shehi, Sindi Allamani dhe Theodhora Laska prezantuan studimin me titull “Mësonjëtorja e Korçës, 7 mars 1887”, një intervistë të një ish nxënësi të asaj shkolle si dhe një maket të shkollës “Mësonjëtorja” në Korçë. Ndërsa, nxënësja Brunilda Tusha kishte përgatitur një ese vlerësuese mbi rëndësinë e arsimit shqiptar duke nisur nga rrënjët e krijimit te tij.
Falënderojmë drejtoreshën e gjimnazit “Sami Frashëri”, znj. Teuta Dobi, dhe nëndrejtoreshën znj. Majlinda Ziu, për bashkëpunimin e shkëlqyer me Muzeun Historik Kombëtar.