2 Mars 1444, Kuvendi i Lezhës hodhi themelet e bashkimit të shqiptarëve

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Besëlidhja e Lezhës, si produkt i aristokracisë dhe fisnikërisë shqiptare”. Referuan rreth kësaj teme Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe Prof. Dr. Ferit Duka, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë.
Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi tha se Kuvendi i Lezhës u krijua si një aleancë politike dhe ushtarake e fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë. Përpara se të mblidhej kuvendi Gjergj Kastrioti zhvilloi një sërë takimesh me bujarët shqiptarë, duke i bindur ata se vetëm duke qenë të bashkuar do ti bënin ballë armikut të përbashkët. Kuvendi u mbajt më 2 mars të vitit 1444 në katedralen e “Shën Kollit” në Lezhë. Çështja kryesore e thirrjes së kuvendit ishte bashkimi i gjithë forcave në luftën kundër osmanëve. Menjëherë pas Kuvendit të Lezhës, Skënderbeu filloi të organizonte ushtrinë e Lidhjes, e cila përbëhej nga dy pjesë: nga forcat e përhershme dhe nga ato që do të mobilizoheshin në rast lufte. Forcat e përhershme u formuan nga repartet e sundimtarëve shqiptarë, sipas kuotës që u ishte caktuar Lidhja Shqiptare e Lezhës. Sigurisht që Skënderbeu kishte rreth vetes gardën personale e cila përbëhej nga personalitete të shquar të asaj kohe.
Në fjalën e tij Profesor Ferit Duka tha se gjendjen e principatave shqiptare në vitet ’30 të shek. XV dokumentohet nga Defteri i Sanxhakut Shqiptar i vitit 1482, ku janë të regjistruara një hapësirë e madhe e tokave shqiptare. Dalja e Gjergj Kastrioti Skënderbeut në krye të elitës ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Lezhës lidhet me këta faktorë: Së pari ai i kishte të gjitha cilësitë në drejtimin e luftës. Së dyti njihte mirë gjendjen ekonomike dhe financiare dhe ushtarake të vendit. Lezha kishte një pozicion gjeografik të favorshëm për mbajtjen e Kuvendit. Ajo ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të Kuvendit, dhe, duke qenë Lezha nën zotërimin venecian, mënjanoheshin mosmarrëveshjet e pakënaqësitë që mund të lindnin ndërmjet sundimtarëve shqiptarë për vendin ku duhej të mbahej Kuvendi. Mbajtja e tij në Lezhë ishte si një thirrje miqësore për bashkëpunim në luftën kundër osmanëve, që fisnikët shqiptarë i drejtonin me këtë rast Republikës së Shën Markut. Po ashtu, Profesor Duka theksoi se në kuadrin e Besëlidhjes së Lezhës, fisnikët shqiptarë ruajtën të gjitha të drejtat që kishin mbi zotërimet e tyre. Në kuadrin e aleancës politike, çdo sundimtar ruante autonominë e tij politike. Secili anëtar kishte të drejtë të kishte lidhje me vende jashtë Lidhjes. Ndërmjet bujarëve të Lidhjes, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte i pari ndërmjet të barabartëve dhe nuk kishte të drejtë të ndërhynte në zotërimet e tyre. Lidhja e Lezhës u bë kështu i pari bashkim politik në shkallë mbarë shqiptare që njihet në historinë e Shqipërisë. Skënderbeu u zgjodh kryetar i lidhjes dhe Komandant i pergjithshëm i saj. Nën udhëheqjen e Skënderbeut ushtria që ai organizoi, u bë një armë e fuqishme për mbrojtjen e vendit.
Këto takime periodike nga Muzeu Historik Kombëtar bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Gjithashtu, veprimtaria “Një pasdite në muze” arriti krijimin e një debati profesional, ku nuk munguan pyetjet mjaft interesante nga nxënësit e pranishëm.

28378938_1865025603560204_6576179660798090787_n 28619308_1865025460226885_6634677529177694620_o 28468228_1865025170226914_722703107022202107_n 28576105_1865025123560252_290183319258231601_n 28515166_1865025076893590_6488958422101253005_o

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *